E Diel, 1 Nëntor 2026

Laze i futbollit porositi heroinën në Maqedoni

26/12/2008  Gati sekuestrimi i pallatit 10-katësh, zbardhet skema e trafikut të drogës

TIRANE- Implikimi i presidentit të Elbasanit, Arben Laze, në trafikun e drogës nuk përbën më dyshim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi ekspertët e kësaj të fundit kanë siguruar ndaj bosit të verdhebluve, një sërë provash që faktojnë blerjen, transportimin dhe më pas shitjen e heroinës në Shqipëri. Provat e administruara në dosjen me katër të arrestuar flasin se Arben Laze përveç menaxhimit të aksioneve në skuadrën e Elbasanit, nën hije ai kryente edhe furnizimin me lëndë narkotike të disa grupeve kriminale që veprojnë në Shqipërinë e mesme. Hetuesit e çështjes thanë se Laze në shumicën e rasteve heroinën e siguronte në Maqedoni, shtet ku ai bashkëpunonte me një grup tjetër kriminal.

Blerja e mallit

Pikërisht në këtë shtet presidenti i skuadrës së futbollit Elbasani kishte shkuar ditën e martë. Mësohet se shkaku i vizitës ka qenë pagesa e lëndës narkotike që bashkëpunëtorët e tij maqedonas, ia kishin dërguar pak ditë më parë. Heroina ishte porositur në Maqedoni nga Arben Laze, ndërsa këtij të fundit ja kishte porositur prej kohësh shtetasi nga Fieri Arben Prifti. Kur lënda narkotike ka mbërritur në Elbasan, Laze është nisur në drejtim të shtetit fqinj në mënyrë që të paguajë shumën financiare të heroinës. Ndërsa nga ana tjetër presidenti i verdhebluve ka porositur vëllain e tij, Fationin që ky i fundit të shkonte në Çermë dhe të dorëzonte mallin tek pritësi Shkëlqim Hyzmo. Pasi ka përfunduar punë me bashkëpunëtorët maqedonas, Arben Laze ka menduar të kthehet në Shqipëri, por sapo ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar të “Qafë-Thanës” ai është arrestuar nga specialistët e Antidrogës.

Sekuestrimet

Në cilësinë e provës materiale organi i akuzës sekuestroi një shumë financiare prej 1000 euro si dhe aparatet e telefonit. Ndërkohë vala e operacionit u shtri në Fier ku u arrestua Arben Prifti dhe Elbasan ku u ndalua vëllai i Ben Lazes, Fationi. Këtij të fundit organi i akuzës i sekuestroi edhe një armë zjarri pistoletë, që ai e mbante pa leje. Në këtë rrjet janë të implikuar edhe persona të tjerë, të cilët priten të identifikohen nga tabolantet telefonike. Ndërkohë pas prangosjes së katër anëtarëve të këtij rrjeti Prokuroria për Krime të Rënda ka filluar verifikimin e pasurisë dhe llogarive bankare. Burimet thanë se për sa i përket kësaj procedure në qendër të vëmendjes është pasuria e presidentit të verdhebluve Arben Laze. Në listën e verifikimit mësohet se do të jetë një pallat 10-katësh i ndërtuar buzë rrugës “Rinia” në Elbasan, disa llogari bankare si dhe blerja e 35 për qind të aksioneve në klubin sportiv të Elbasanit.

Hekuran Hoxha

Në shtator të këtij viti Prokuroria për Krime të Rënda arrestoi ish-presidentin e skuadrës së futbollit të Shijakut Hekuran Hoxhën. Ai akuzohet se në vitet 2003-2004 ka trafikuar në drejtim të Italisë rreth 450 kg heroinë.

Mihal Delijorgji

Është njëri nga presidentët e klubit sportiv “Dinamo”, i cili është arrestuar është pak vite më parë nga Prokuroria e Durrësit. Akuza që binte mbi të ishte ajo e evazionit fiskal, por pas një sërë procesesh gjyqësore.

Albert Xhani

Presidenti aktual i klubit sportiv “Partizani” është arrestuar në vitin 2004 nga Prokuroria e Tiranës. Ai akuzohej për tjetërsim pasurie. Kjo akuzë lidhet me veprimtarinë e tij tregtare të disa viteve më parë.

Kreu i Bashkisë Qazim Sejdini: Presim përfundimin e hetimeve për presidentin Laze

“Ekipi i tronditur, por stërvitja vazhdon ende”

ELBASAN-Arrestimi i presidentit të sport-klubit të Elbasanit, Arben Laze, ka tronditur të gjithë sportdashësit elbasanas, por sidomos ekipin e futbollit, i cili ka qenë në stërvitjen e radhës në heshtje dhe pa asnjë koment për lajmin e arrestit të aksionerit kryesor të verdhebluve. Kryetari i Bashkisё sё Elbasanit, Qazim Sejdini, u shpreh dje se Arben Laze do tё vazhdojё tё jetë president i KF Elbasani. Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij Qazim Sejdini u shpreh se pozicioni i Lazes do tё varet nga përfundimi i hetimeve dhe vendimi i organeve tё drejtёsisё. Ai deklaroi se presidenti Laze vazhdon tё ketë rolin e liderit nё përqindjen e aksioneve duke zotëruar 44% tё tyre. Ndërsa përsa i përket financave dhe pagesave tё futbollistёve ai u shpreh se ato janë tё garantuara pavarësisht situatës. Sejdini deklaroi se “ne nuk kemi asgjë zyrtare lidhur me arrestimin dhe akuzat e ngritura ndaj tij. Jemi njohur me faktin pas njё njoftimi tё dhёnё nёpërmjet medias dhe shtypit. Do tё jetë zyrtare kur tё përfundojnë hetimet, gjykimet dhe vendimet e drejtёsisё, por njё gjё tё kemi qartë, sidomos gjithë dashamirёsit e futbollit. Presidenti Laze është investitori kryesor i klubit dhe futbollit elbasanas. Kontributi i tij ndër vite ka qenё maksimal. Arben Laze ka 44% tё aksioneve, 33% ka bashkia dhe pjesa tjetër Gentian Cёrraga. Pagat do tё shlyhen 100% tё jeni tё garantuar. Takimet tona me ekipin janë tё zakonshme dhe tё përhershme dhe shpresojmë nё rezultat pozitiv”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›