E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja, Fieri arrin nivele alarmante

26/12/2008  Kryesisht operatorë industrialë. Përmirësimi pritet pas privatizimit të KPTHN-së dhe ARMOS-s

FIER- Ndotja e mjedisit rezulton në shifra të larta dhe tepër problematike në qarkun Fier. Sipas statistikave të këtij viti nga Agjencia rajonale e Mjedisit në Fier, nga 460 subjekte që zhvillojnë aktivitetin prodhues dhe që lënë gjurmë në ndotjen e mjedisit në Fier, rreth 60% e tyre mund të quhen plotësisht ndotës të mjedisit. Sipas shefes së kësaj agjencie, Angjelina Mërtiri, ndotësit më të mëdhenj janë ARMO dhe Albpetrol, por në monitorimet e fundit ekzistojnë edhe subjekte të tjera që ndonëse janë pajisur me lejen mjedisore, vazhdojnë të jenë ndotës të mjedisit.

Ndotësit

Për kompanitë e naftës është kërkuar që të bëjnë investime për përmirësimin e teknologjisë së vjetruar, por megjithatë ajo është zbatuar në disa aspekte, ndërkohë që mbetet shumë për të bërë deri në reduktimin e sasisë dhe derdhjes së mbetjeve të naftës në mjedis prej proceseve të dekantimit. “Subjektet, të cilat janë pajisur me lejen mjedisore në qarkun Fier, janë në një numër të konsiderueshëm prej 460 subjektesh, këtu përfshihen subjektet e mëdha dhe ato të vogla. Edhe subjektet e vogla kanë ndikuar negativisht në rritjen e nivelit të ndotjes”. Vetëm për një muaj derdhen në lumin Gjanica rreth 22 000 m3 mbetje të naftës, prej procesit të dekantimit në zonën e Visokës, Marinzës, kombinatit të përpunimit të naftës në Ballsh dhe në Fier. Në të njëjtën kohë kanë qenë të shumta paralajmërimet për kompanitë që të reduktojnë këto ndotje, ndërkohë që për subjektet e tjera private prodhuese në qarkun Fier, ato janë ndëshkuar edhe me gjoba. “Ndotësit më të mëdhenj janë KPTHN Ballsh, Rafineria e naftës në Fier, Albpetroli etj, të cilat ARMO dhe KPTHN Ballsh janë privatizuar dhe shpresojmë të sjellin ndryshimet në teknologji. Dhe për rrjedhojë do të ulet shifra e ndotjes në Fier”, ka thënë Mërtiri. Në këtë mënyrë shpresohet përmirësimi i mjedisit në Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›