Meta: Ne nuk e pranojme kurre Kodin Zgjedhor te hartuar nga PD dhe PS-ja
Hyjne ne diten e katert te urise, por nuk kane ndermend te terhiqen deputetet e ngujuar ne mbrojtje te votes se lire. Ne gjendje me te perkeqesuar shendetesore, grevistet thane dje ne mbremje, se nuk do te terhiqen. Por per situaten e krijuar, ekipi i mjekeve po i qendron prane ne cdo moment. "Nuk do te pranojme kurre Kodin e ri Zgjedhor te hartuar nga PD-PS", tha dje ne mbremje kreu i LSI-se, Ilir Meta, pasi Komisioni i Posacem per Reformen Zgjedhore e miratoi ne teresi. "Ne asnjehere nuk do ta pranojme nje Kod te tille, pasi nuk do lejojme qe dy individe te prishin procesin zgjedhor. Nuk do te pranojme qe ata t'i vjedhin lirine e votes shqiptareve", tha Meta. Kreu i LSI-se, sqaroi se gjendja shendetesore eshte e mire, ndonese sa vjen dhe perkeqesohet. Por ekipi i mjekeve eshte i pranishem per te mbajtur situaten nen kontroll te disa deputeteve qe kane shfaqur me shume probleme. Deputeti Frrok Gjini tha se grevistet do te vdesin aty dhe voten e lire do ta mbrojne. "Nuk bejme pazare dhe do te mbrojme vlerat demokratike", u shpreh Gjini. Ndonese u stabilizuan disi me ujin e me ngrohjen, deputetet greviste kane nisur te ndihen te pafuqishem e me probleme, duke pasur nevojen e marrjes se serumeve.