E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpat Kasapi, këngë të vjedhur me motive turke në Festival

Panorama PLUS 

Nertila Maho

Ky Festival pa diskutim që do të sjellë këngë të bukura por nuk do të mundet të evitojë dot atë ves të keq të imitimit të të huajve që ne na është ngulitur prej kohësh në vena. Pa dashur që të krijohen paragjykime që në fillim për këngët pjesëmarrëse, ne këtë e konstatuam gjatë provave ku në fakt na rezultuan disa detaje që të vrisnin veshin apo syrin. Më poshtë po ju radhitim disa nga këto konstatime të cilat ju do të keni mundësi t’i shihni dhe vetë gjatë netëve të Festivalit. “Aromë Mediterane” është kënga që Shpat Kasapi do të servirë për publikun. Në fakt përveç ritmeve që nuk janë aspak shqiptare, por turke të pastra, teksti i këngës është një “turli” fjalësh të huaja duke filluar nga italishtja, spanjishtja dhe greqishtja. Kështu në fillim, del gjatë vargjeve fjala “cocinella”, pastaj “asta manana” më vonë me një greqishte të pastër vajza personazh i këngës i thotë djalit “sagapo”. Siç do mund ta dëgjoni gjatë netëve të festivalit, në shqip mbetet të këndohen vetëm “vargjet ndihmëse” të cilat gjithsesi nuk rimojnë dot në disa nga gjuhët e sipërpërmendura. Pa dashur të paragjykohet zgjedhja e kësaj kënge për në Festival, duket se Shpat Kasapi vërtet ka sjellë një Mesdhe të tërë për publikun, por shumë pak Shqipëri, madje që në titull ai nuk vendos fjalën shqip “Mesdhe”, por preferon atë në italisht “Mediterano”. Ndërkohë po ta dëgjoni me vemendje, kënga ka ngjashmëri jo të vogël me një nga këngët shumë të njohura të këngëtarit të famshëm turk “Tarkan”. Kënga “alla BE” që do të ngjitet të skenë, nuk mishëron aspak traditën muzikore shqiptare, atë që kërkohet me forcë sidomos në këtë festival ku këngët duhet të jenë më shumë shqiptare se asnjëherë tjetër. Gjithsesi kjo mbetet në dorën e jurisë dhe të profesionistëve për ta gjykuar, ne thjesht ndjejmë për detyrë të publikojmë konstatimet tona.

Numri tre me fat

Moda e përgatitjes së një koreografie për këngën pjesëmarrëse në festivalin e RTSH-së, tashmë është përhapur gjerësisht por ajo që bie në sy është numri i balerinave. Këtë do ta kuptoni kur në skenë të shihni se shumica e këngëtarëve janë të shoqëruar nga balerina dhe përkatësisht me nga tre. Kësaj liste i shtohet Shpat Kasapi, Soni Malaj, Agim Poshka etj. Kërcime sensuale, pop etj do të serviren në Pallatin e Kongreseve gjate netëve të Festivalit. Disa koreografi të goditura dhe të tjera më pak, do të plotësojnë skenën dhe këngën e këngëtarëve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›