E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Një e treta e videos është e manipuluar

15/02/2011  Kreu i LSI raporton në Këshillin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve

Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti me qëllim hetimin e tyre për korrupsion dhe shpërdorim detyre, në drejtimin e kryeparlamentares Topalli, u mblodh mesditën e djeshme Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve për të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Në “rrëfimin” e tij para Këshillit të Rregullores Meta u shpreh i gatshëm për tu futur edhe në burg, nëse vërtetohet fajësia e tij.

Mbrojtja

Në pretendimin e tij për pafajësi në lidhje me akuzat e organit të akuzës Meta u shpreh se ai ka zhvilluar një hetim të pavarur sa i përket videos së publikuar në emisionin “Fiks Fare”. “Ne ditët e fundit i kërkuam të bënte një ekspertizë një ndër ekspertëve më të njohur në Itali, dr. Ing. Antonio Federico, i cili brenda 2-3 ditësh ka bërë një analizë shumë të qartë tekniko-shkencore të gjithë materialit filmik bazuar mbi pyetjet e avokatëve të mi.” Duke iu referuar materialit prej 25 faqesh të analizave nga Federico, Meta tha se “në sekondën e 11-të ka ndërprerje, ndërrim skene dhe futje e siglës muzikore. Në 1 minutë e 33 sekonda ka ndërprerje, ndërrim skene dhe ndërrim i sinjalit audio, në minutën 3 e 7 sekonda ka ndërprerje e ndërrim skene. Në minutën 3 e 3 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e mëparshme rezulton e përsëritur dhe e mbivendosur për katër sekonda. Në minutën 3 e 18 sekonda ka ndërprerje prej tri sekondash, ndërrim i skenës i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 3 e 53 sekonda ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 3 e 47 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e përsëritur është e mbivendosur për 6 sekonda. Në minutën e 4 e 15 sekonda ka ndërprerje prej 4 sekondash, ndërrim skene i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 4 e 58 sekonda ka ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 4 e 54 sekonda ka filmim, përsëritje, skena e përsëritur është e mbivendosur për 4 sekonda. Në minutën 5 e 9 sekonda ka ndërprerje prej 42 sekondash, ndërrim skenë. Në minutën 7 e 37 sekonda ka ndërprerje prej 18 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 8 e 7 sekonda ka ndërprerje prej 52 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 9 e 19 sekonda ndërprerje prej 1 minutë e 25 sekondash, ndërrim skene. Në 11 minuta e 0.1 fundi i regjistrimit të dy bashkëbiseduesit dalin nga skena”, - u shpreh Meta. Pra, shtoi më pas kreu i LSI-së, në pikëpamje të kohës televizive gati më shumë se 1/3 e gjithë kohës është një manipulim i qartë nga ana teknike.

Bojkoti

Opozita me pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandatave ka thyer bojkotin e saj parlamentar. Edhe pse e pranishme me gjysmën e anëtarëve të këtij këshilli, përfaqësuesit e PS-së me në krye kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, duke iu referuar heshtjes së tyre, ishin thuajse inekzistentë gjatë dëgjimit të argumenteve të parashtruara nga deputeti Meta në lidhje me kërkesën e bërë nga Prokuroria për heqjen e imunitetit të tij dhe fillimin e hetimit.

Prifti rrëfehet sot

Dritan Priftit, i cili ishte denoncuesi i Metës, i është zbuluar nga ekspertiza e specialistit amerikan se ka një video ku ai kishte regjistruar veten duke ndarë 70 mijë euro me zv.ministrin e Ekonomisë Leonard Beqiri. “Nesër në orën 13:00 do të jetë zoti Prifti në Këshillin e Rregullores”, -theksoi dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›