E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Nuk do ketë forcë që të na ndalë nga rruga e nisur

 

Robert Rakipllari

“Do të qëndrojmë deri në fund”. Ky është refreni më i shpeshtë që mund të dëgjosh në një bisedë telefonike me ish-kryeministrin Meta. Edhe pse në ditën e katërt të grevës së urisë, zëri nga përtej receptorit nuk të jep përshtypjen e një njeriu të privuar prej kaq ditësh nga ushqimi. Meta është i qartë: Nuk do të ketë forcë të na ndalë në këtë rrugë që kemi nisur. 
Z.Meta, PD e PS kanë miratuar sot në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore Kodin Zgjedhor që ju kontestoni, pa asnjë ndryshim. Cili është qëndrimi juaj?
Kjo konfirmon edhe njëherë tjetër atë që kemi thënë që në fillim të këtij viti, kur u miratua paketa kushtetuese dhe KQZ-ja u bë institucion jo kushtetues. Rama dhe Berisha kanë një marrëveshje shumë të qartë për të goditur pluralizmin politik dhe parlamentarizmin në Shqipëri dhe për të manipuluar procesin e ardhshëm zgjedhor. Rezultati i fundit në zgjedhjet vendore tregoi qartë se këto dy parti nuk fituan dot më shumë se 43% të elektoratit shqiptar. Ne nuk jemi shumë të çuditur sot kur ky komision me cinizëm dhe arrogancë ka avancuar puçin elektoral, por ky veprim nuk ndryshon asgjë nga qëndrimet tona, përveçse e përforcon idenë se ky miratim formal i Kodit Zgjedhor është jo vetëm në kundërshtim me çdo princip normal të zgjedhjeve të ndershme, por dhe me Kushtetutën e vendit.
A ka pasur kontakte informale apo edhe negociata konkrete me përfaqësues të PD-së ose të PS-së për të zgjidhur këtë krizë?
Nuk ka pasur vullnet për të zgjidhur krizën, pasi Berisha dhe Rama duan që ta zhysin vendin në një krizë edhe më të thellë, por ka pasur jo pak akte solidariteti nga deputetë të krahëve të ndryshëm të Parlamentit.
Po me faktorin ndërkombëtar a keni kontakte dhe çfarë shpresoni nga ndërhyrja e tyre?
Po, kemi pasur kontakte edhe me faktorin ndërkombëtar, por natyrisht që këto janë biseda të rezervuara dhe konfidenciale. Sigurisht që ata kanë dëgjuar argumentet dhe përpjekjet tona për të garantuar standardet e kërkuara të procesit zgjedhor. Thelbi i integritetit të këtyre zgjedhjeve është gjithëpërfshirja dhe ky princip ka marrë goditjen më të madhe me Kodin aktual, i cili është një dokument që synon të ligjërojë përjetësinë e PD-së dhe PS-së në mënyrë krejt jolegjitime, duke krijuar mundësi për të dhunuar votën e qytetarëve shqiptarë.
A e kishit parashikuar këtë qëndrim të z.Beridha dhe z.Rama para se të hynit në grevë urie?
Ky qëndrim për ne është i njohur që nga 21 prilli, kur u dhunua Kushtetuta. Është e qartë se kjo është një aleancë që në themel të vet ka ortakërinë, shumë afera, jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Të dy krerët e këtyre partive të vjetra synojnë dhunimin e të gjitha institucioneve të vendit. Kjo nisi me dhunimin e Kushtetutës së vendit më 21 prill dhe kërkon të finalizohet me puçin elektoral vitin e ardhshëm.
Ju po flisni për Berishën dhe Ramën, po si e shpjegoni faktin që të paktën deputetët e PS-së nuk iu dhanë as dorën sot në Parlament?
Është ë vërtetë që mjaft deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare si nga PD, PR apo parti të tjera shprehën solidaritetin e tyre. Por edhe nga PS-ja ishte deputeti i njohur për qëndrimet e tij të pavarura, z.Memushi, i cili pati kurajon të takohet me ne për të përshëndetur protestën tonë. Kjo tregon atë që ne denoncuam në 21 prill, se sistemi i ri me lista të mbyllura e të firmosura nga kryetari do të dhunonte çdo lloj personaliteti dhe individualiteti si brenda PD-së, ashtu edhe brenda PS-së. Ky ishte një nga qëllimet kryesore që kanë Berisha dhe Rama, të cilët dhunimin e demokracisë, të votës së qytetarëve shqiptarë në radhë të parë e projektuan te dhunimi i anëtarëve të partive të tyre. Këta deputetë shumë pak kanë arritur të tregojnë individualitetin dhe personalitetin e tyre, por ata nuk kanë arritur ta kuptojnë se kjo që po bën kryetari i partisë së tyre është në kundërshtim të plotë me interesat e elektoratit të majtë. Gjithashtu kjo që po ndodh është në kundërshtim të plotë edhe me historinë e PS-së, e cila nuk ka qenë autore e manipulimit të zgjedhjeve, por ka qenë një viktimë e këtij fenomeni që ka ndodhur në të kaluarën, e sidomos me zgjedhjet e 26 majit 1996. Pra, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me interesat e PS-së, por me interesat e përveçme të kryetarit të saj, i cili duke pranuar shtimin e kompetencave të Berishës si kryeministër kërkoi një sistem dhe një Kod Zgjedhor që të eliminonte ish-aleatët e tij, me të cilët ai fitoi Bashkinë e Tiranës në mandatin e tretë në 2007-ën. Pavarësisht nga kjo, asnjë prej këtyre synimeve nuk do të realizohet, pasi nuk do të ketë forcë që do të na ndalë në këtë rrugë që ne kemi nisur. Por shqetësimi ynë mbetet një kosto që do të marrë vendi, pasi reformat e mëdha nuk do të avancojnë. Njëra prej këtyre reformave, ajo zgjedhore është e minuar nga një mosbesim i thellë që kanë krijuar PD dhe PS përmes shkatërrimit të principeve dhe standardeve, ku duhej të mbështetej kjo reformë.
Ju jeni në ditën e katërt të grevës dhe të gjithë pyesin a do të ketë një zgjidhje dhe nga do të vijë ajo. Ju jeni të hapur të negocioni dhe deri ku mund të lëshoni?
Ne jemi të hapur për të biseduar, por ju e shikoni që nga ana tjetër kemi një paragjykim të plotë, pasi ka një strategji të qartë për të goditur demokracinë në zemrën e saj që është pikërisht vota e lirë dhe zgjedhjet e ndershme. Megjithatë ne jemi të hapur për të biseduar në mënyrë që të evitohet një krizë shumë më e madhe që po vjen, ndërsa zgjidhja është shumë e thjeshtë.
Po, por mjaft nga kolegët tuaj në grevë duke gjykuar nga pamjet e seancës së sotme janë në gjendje të rëndë. A mendoni ndonjë zgjidhje?
Disa nga kolegët janë në gjendje shqetësuese, sidomos nga probleme të tensionit dhe diabetit, megjithatë janë nën kontrollin e ekipeve mjekësore. Mund të them se deri tani ka shqetësime, por nuk është një moment alarmant.
Si do t’iu përgjigjeshit disa zërave të pavarur se tani pas këtij konflikti PS-ja ka arsye të dyshojë për komisionerët e LSI-së në zgjedhje?
Unë nuk e kuptoj se mbi çfarë logjike mbështetet një argumentim i tillë, pasi zgjedhjet nuk mund të jenë pronë as e PD-së, as e PS-së, as e LSI-së apo e gjithë partive së bashku. Ato iu takojnë gjithë shqiptarëve. Vota e çdo shqiptari duhet të jetë e barabartë. Ne nuk kemi kërkuar asnjë favor, as nga PD e as nga PS, por si forca e tretë e padiskutueshme dhe e pavarur nga PS e PD kemi kërkuar respektimin e principit të vetëpërfshirjes, pasi kjo nuk përbën një garanci vetëm për ne, por për gjithë procesin që të jetë i hapur dhe i pamanipulueshëm. Kështu që nuk mund ta kuptoj mbi çfarë logjike mbështeten pseudoargumente të tilla dhe përse PS-ja në të kaluarën luftoi bashkë me ne që të shtojë një anëtar që të përfaqësonte LSI-në në KQZ. Ishte PS-ja që negocioi me Berishën për t’i dhënë një të drejtë LSI-së. Përse PS-ja ishte partizane për të qenë gjithëpërfshirëse, duke kërkuar praninë e gjithë partive parlamentare në komisionet zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2007, që nuk u kontestuan nga askush dhe pse ka ndryshuar qëndrim pas rizgjedhjes së z.Rama në krye të bashkisë. Mendoj se nuk ka asnjë argument që të justifikojë qëndrime të tilla të turpshme dhe aspak parimore, të cilat i japin lidershipit të PS-së një përgjegjësi për këtë kosto të madhe që do të marrë vendi, nëse ata do t’i qëndrojnë këtij skenari krejtësisht të marrë.
Si e vlerësoni qëndrimin e deritanishëm të faktorit ndërkombëtar dhe a mendoni se ky qëndrim do të ndryshojë në favorin tuaj?
Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë përgjegjësitë e veta, pasi ne i kemi konsumuar të gjitha veprimet tona, duke e informuar prej kohësh për këto rreziqe që i kanosen reformës zgjedhore. Natyrisht që ka qëndrime të ndryshme, por kryesorja janë standardet. Ne i dimë cilat janë standardet kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe principi kryesore është ai i gjithëpërfshirjes, i cili jo vetëm që nuk është respektuar, por është përkeqësuar si në raport me zgjedhjet e 2005, ashtu edhe me ato të 2007. Ne i referohemi dokumenteve ndërkombëtarë për zgjedhje të ndershme e të lira dhe qëndrime të caktuara konjukturale nuk përputhen me principet me të cilat realizohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona deri në fund që të realizojmë zgjedhje me standarde, të cilat të jenë produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë dhe jo i manipulimit në administrimin e procesit në mënyrë jo transparente.
Kur thoni do qëndroni deri në fund, çfarë keni parasysh z.Meta?
Kjo do të thotë që ne deri në fund do të kemi kauzën tonë realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. Në rast se zgjedhjet e ardhshme do të dështojnë, kjo nuk do të thotë që do dështojë beteja jonë, sepse në fund të fundit prosperiteti i këtij vendi do të vijë kur të kemi zgjedhje të lira dhe institucionet që dalin nga këto zgjedhje të jenë legjitime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›