Incidenti, Garda ndalon Moisiun të takojë grevistët
ADI SHKEMBI
Ish-presidenti Alfred Moisiu ndalohet të takojë nga afër dhjetë deputetët grevistë, të cilët kanë hyrë tashmë në ditën e tyre të katërt. Kështu, pas dhunës së ushtruar dy net më parë nga policia mbi protestuesit, ky duket se është incidenti i dytë i rëndë në këtë grevë urie. Gjithçka ka ndodhur dje në mbrëmje, kur ish-kreu i shtetit kishte paralajmëruar një vizitë në Kuvend te deputetët e ngujuar në sallën e mbledhjeve. Ishte ora 21:30 minuta kur Moisiu është drejtuar te hyrja e Parlamentit, ku ndodheshin edhe punonjësit e Gardës dhe forcat blu. Por pikërisht këtu ka ndodhur incidenti. Forcat e rendit i kanë kërkuar Moisiut një autorizim nga Kuvendi për këtë vizitë, autorizim të cilin ish-kreu i shtetit nuk e kishte. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", Moisiu tregoi incidentin me forcat e rendit. "Unë kisha paralajmëruar një vizitë te deputetët që ndodhen në Kuvend. Por kur erdha pranë hyrjes së Parlamentit, policia më kërkoi një autorizim nga administrata e Kuvendit, që do të më mundësonte takimin me deputetët. Por unë këtë autorizim nuk e kisha dhe në këtë mënyrë nuk më lanë të hyja brenda. Natyrisht që unë u largova pas kërkesës së policisë për autorizimin, pasi nuk do bëja skandal me ata", tha Moisiu. Ish-kreu i shtetit la të hapur mundësinë e një takimi në ditët e ardhshme me deputetët grevistë, teksa u shpreh për gazetën se kjo vizitë do të jetë në varësi të zhvillimit të ngjarjeve në Kuvend. Moisiu bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtyre ditëve ka pasur kontakte telefonike me deputetët grevistë, të cilët i ka pyetur për shëndetin, teksa shtoi se duhen bërë përpjekje për zgjidhjen e kësaj situate të krijuar. Një ditë më parë, në një prononcim për gazetën "Panorama", Alfred Moisiu bëri përgjegjëse politikën shqiptare për grevën e urisë së deputetëve. Ish-presidenti i Republikës theksoi se një situatë e tillë nuk është aspak normale. "Duke parë deputetët e ngujuar në Parlamentin e vendit, mendoj se kjo nuk është një gjë normale. Përgjegjësia, sipas mendimit tim, bie mbi klasën politike që gjërat të shkojnë deri në këtë pikë", tha Moisiu. Si njeriu që gjatë gjithë kohës së tij si president u mundua të qëndronte mbi palët, Moisiu shprehet se duhej të ishte gjetur një zgjidhje. "Duhej të ishte gjetur një zgjidhje dhe besoj se zgjidhja do gjendet, për një gjithëpërfshirje të forcave politike në administratën zgjedhore", tha Moisiu. Ish-kreu i shtetit ka qenë mjaft aktiv në zhvillimet politike në vend. Ai ishte një nga nënshkruesit e kërkesës për referendum për ndryshimet kushtetuese. Ai i ka cilësuar ndryshimet e fundit kushtetuese thelbësore që kërkonin miratimin me referendum. Në të njëjtën kohë ish-presidenti i Republikës është shprehur kundër rrëzimit nga ana e Kuvendit e dekreteve të kreut të shtetit Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Moisiu e cilësoi rrëzimin e tyre në Kuvend si një veprim që s'duhej të ndodhte. "Është një sinjal jo i mirë që jepet për të ardhmen e demokracisë shqiptare", është shprehur Moisiu kohë më parë.
Shtohen protestuesit, Meta i përshëndet nëpërmjet celularit
Protesta e djeshme ka qenë shumë më e madhe në numër. Që në orën 8 të mëngjesit. Ndryshe nga një ditë më parë, ishin disa mijëra pjesëmarrës në mbështetje të deputetëve të grevës së urisë. Gjithashtu protestës paqësore të qytetarëve iu bashkuan dhe personalitete të politikës, të shoqërisë civile, analistë dhe intelektualë të tjerë, të cilët kanë folur me entuziazëm në përkrahje të deputetëve, të hyrë në grevë urie për votën e lirë. Protestuesit brohoritën nën parullat klasike, duke thirrur me zë të lartë, që prej katër ditësh si: "Vota është e shenjtë", "Vota është demokraci", "Jo diktaturës", "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa" etj. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, komunikoi dje me protestuesit përmes telefonit celular, i cili dëgjohej në qendrën e zërit. Ai tha se me fitoren e tyre do fitojnë të gjithë shqiptarët. "Jemi sot më të bindur se edhe dje, se kërkesat tona janë të drejta dhe misioni ynë është një mision që i shërben qytetarëve shqiptarë dhe kjo tirani dhune duhet ndalur. Ne jemi këtu në Parlament, në këtë grevë urie, që ka hyrë sot në ditën e katërt, jo për të bllokuar Parlamentin, por për të shpëtuar parlamentarizmin, i cili u godit aq fort në themele në Republikën Parlamentare, në 21 Prill me ndryshimet kushtetuese", tha Meta. Mesazhi i Metës u prit me shumë entuziazëm nga protestuesit. Deputetët Dritan Prifti, Spartak Ngjela, Nikollë Lesi, Gilman Bakalli, Luan Memushi, analistët Artur Zheji dhe Andrea Stefani, politikanë dhe drejtues të forcave politike, LSI, PDK dhe PS '91 përshëndetën protestuesit, duke u solidarizuar plotësisht me deputetët në grevë urie. Protestuesit dhe përkrahësit e deputetëve grevistë nuk kanë qenë të dhunshëm ndaj policisë dhe nuk ka qenë e nevojshme përdorimi i forcës ndaj tyre. Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare ka pohuar se përplasja mes efektivëve të policisë dhe përkrahësve të grevës së urisë ka ndodhur për shkak të vënies së një çadre pranë godinës së Parlamentit në sheshin "Xhorxh Bush". Sipas policisë, protestuesit kanë bllokuar sheshin dhe rrugën përballë Parlamentit pa lajmëruar më parë strukturat e policisë së kryeqytetit. Ndërkaq policia ka pohuar se tubuesit nuk kanë shkaktuar probleme dhe kanë qenë paqësorë.