Meta: Nuk do t'u përgjigjemi incidenteve
Ambasadori grek, Nikolaos Pazios, kërkon falje publike: Po bëjmë hetime, autorët do të dënohen
TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke reaguar mbi thirrjet raciste të ushtarëve grekë gjatë një parade në sheshin e Athinës, të cilat u adresoheshin shqiptarëve deklaroi se këtyre incidenteve Shqipëria nuk do t'u përgjigjet në të njëjtën formë. Për këtë arsye, sipas tij, qeveria greke ka bërë të ditur se do të marrë të gjitha masat ndëshkimore ndaj shkaktarëve të këtij incidenti, që sipas Metës, ishte tërësisht skandaloz. "Nuk mendoj se ndaj incidenteve duhet të përgjigjemi me incidente. Por unë besoj se përgjigjen më të mirë e ka dhënë dje vetë ministri grek i Mbrojtjes së qytetarëve, zoti Kristoforidhis, dhe akoma më e mirë do të jepet në vazhdim me përshkallëzimin e masave ndaj shkaktarëve të këtij incidenti skandaloz", - tha dje Meta për mediat.
Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme bëhet e ditur se pas reagimit të ministrit ndaj thirrjeve ksenofobe të ushtarëve grekë, ambasadori i Greqisë në vendin tonë, Nikolaos Pazios, ka kërkuar falje publike për këtë ngjarje duke e dënuar këtë incident ka theksuar se qeveria greke do t'i shkojë deri në fund hetimit të kësaj çështje duke dënuar edhe autorët e këtij skandali. "Pas reagimit të Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta, në lidhje me incidentin e disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke të cilët kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, Ambasadori i Republikës së Greqisë, z. Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar z. Meta vendosmërinë e qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve. Ambasadori Pazios i ka shprehur z. Meta ndjesën e qeverisë greke për ç`ka ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do t`i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij", - thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Jashtme në Tiranë. Dy ditë më parë në sheshin qendror të Athinës gjatë një parade me rastin e festës së pavarësisë së Greqisë, ushtarëve të forcave speciale të Marinës greke ushtuan në thirrje raciste e ksenofobe, duke iu drejtuar shqiptarëve me fjalët; Grek lind, dhe nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim more derr shqiptar."
Këto thirrje ksenofobe, fyese dhe ekstremiste kanë ardhur në një kohë kur Parlamenti shqiptar miratoi në Kuvend marrëveshjen për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë, kur vetëm para pak kohësh u transmetua një video ku paraqiteshin ushtarë grekë, të cilët lëshonin thirrje raciste dhe ekstremiste ndaj shqiptarëve.