E Diel, 1 Nëntor 2026

Tani mbeti vetëm që grekët "të na presin kokën"

Historiani dhe politikani, Sabri Godo, ka komentuar dje skandalin, duke kërkuar dënimin e të gjithë përgjegjësve

"Fyerje kanibaleske të një reparti ushtarak gjatë një parade kanë edhe përmbajtje politike. Këto janë akte të përsëritura, sepse në rastin e parë Greqia bëri sikur mori masa, por nuk i ndëshkoi autorët dhe mbi të gjitha nuk pati një protestë serioze për t'i thënë Greqisë mjaft deri këtu dhe ajo erdhi e përsëritur në mënyrën më skandaloze dhe në mënyrën më publike që mund të bëhej.

Tani ka mbetur vetëm të bëjnë ndonjë parakalim në Tiranë dhe të thërrasin në sheshin "Skënderbej" se do të na "presin" kokën. Për mua ishte shumë e rëndë. Unë e dëgjova reagimin e ministrit Meta dhe ai është ministër i Jashtëm dhe duhet të jetë disi i përmbajtur, por ai duhet ta thërrasë ambasadorin grek këtu dhe t'ia "vërë" të dyja këmbët në një këpucë dhe t'i thotë që në rastin më të parë që do të bëhet thirrje antishqiptare, atëherë keni për të dëgjuar thirrje antigreke nga ana jonë." Vijmë pastaj tek ligji "sy për sy". Më në fund duhet t'i drejtohemi edhe NATO-s, ne jemi shtete anëtare të NATO-s, ushtritë tona nuk mund të ushqejnë armiqësi ndërmjet tyre.

Problemi është shqetësues, sepse sado që të minimizohet që të thuhet se ai ishte një vetëm një kompani ushtarake të forcave speciale, derisa kjo shfaqet haptazi në një repart, do të thotë që kjo frymë mund të ekzistojë edhe në repartet e reja. Ne jemi ushtri partnere, në të njëjtën kohë të ngrihen thirrje të tilla, këto nuk mund të merren thjesht si britma të një grupi të dehur, por këtu kemi të bëjmë me një institucion shtetëror. Sipas meje, kjo është aq e rëndë saqë ky repart duhet të çohej menjëherë në kazermë dhe të çarmatosej dhe të vihej nën procedim penal i tërë reparti, sepse ai është edhe një veprim antikushtetues edhe për vetë Greqinë, pasi Kushtetuta greke nuk lejon propagandën e racizmin dhe demonstrimet raciste".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›