E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Protesta dhe luftë të plotë parlamentare

Intervista / Ish-kryetari socialist i Kuvendit jep arsyet pse PS duhet të ndërpresë bojkotin



Z. Pëllumbi, çfarë qëndrimi mbajtët në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare?
Unë për vete kisha mendimin dhe e shpreha në mbledhjen e asamblesë që grupi parlamentar i PS-së duhet të marrë pjesë aktive në jetën parlamentare. Bojkotimin të mos e ketë në plan të parë, por ta ketë të fundit dhe në plan duhet të ketë pjesëmarrjen aktive në debatet në seancën plenare, në komisionet parlamentare dhe në grupet parlamentare që përfaqësohet në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës, në asamblenë e OSBE-së apo në atë të Detit të Zi. Në të gjitha strukturat, PS që tani e tutje duhet të jetë shumë aktive, sepse realisht për mendimin tim atë që pritej të realizohej përmes bojkotit e realizoi. Opinioni e kuptoi që zgjedhjet janë manipuluar në mënyrë masive, që për manipulimin e zgjedhjeve është përdorur kryesisht paraja dhe jo dhuna siç u përdor në '96-ën dhe gjithashtu faktori ndërkombëtar e kuptoi se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Këtej e tutje duhet të çmontohet ky parlament dhe kjo mazhorancë përmes luftës parlamentare.

Kjo do të thotë se duhet të marrë pjesë edhe në votim?
Votimi është një praktikë tjetër. Për votimin vendoset sipas momentit apo çështjes, mund të votohet ose mund të mos votohet, por pjesëmarrja në debate duhet të jetë.

Cili ishte qëndrimi shprehur nga z. Rama në bashkëbisedimin informal që pati me ju për këto që ju deklaruat në mbledhjen e Asamblesë?
Nuk kishte ndonjë kundërshtim në përgjithësi, megjithëse mund të ketë ndonjë rezervë në praktikën e zbatimit të njërit variant nga varianti tjetër.

A kishit pika të përbashkëta në këtë bashkëbisedim informal që zhvilluat me Ramën për qëndrimet e PS-së?
Unë shtrova pikëpamjen time dhe mendoj se gjeta mirëkuptimin.

Do të jeni në protestat që do organizohen?
Protestat gjithnjë për opozitën janë si ajri i domosdoshëm për njeriun. Opozita gjithnjë duhet ta ketë në plan të parë protestën, krahas luftës legale në parlament dhe në institucione, sepse në fund të fundit jo të gjitha gjerat mund të realizohen në institucione. Aq më tepër që protestat sensibilizojnë edhe vet opinionin dhe e mbajnë të ndezur këtë sensibilizim kur rrezikohet demokracia. Unë mendoj që opozita në kushtet e sotme duhet të marrë në dorë flamurin e demokracisë, ta mbrojë atë, por duke mbajtur edhe vetë qëndrime demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›