Meta: Nuk e ndal asgjë referendumin
Ilir Meta falënderoi dje qytetarët për pjesëmarrjen në mitingun e sheshit "Skënderbej", në mbrojtje të Kushtetutës. "Dua t‘i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët ndjehen të cenuar në liritë dhe sovranitetin e tyre, të cilët ndjehen të rrezikuar për të ardhmen e demokracisë, se referendumi, i cili tashmë ka nisur, është i pandalshëm. Sipas Metës, ai do të jetë një proces si duhet në respekt të vullnetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë. "Nuk do të ketë teknikalitet dhe pretekst ligjor, që të ndalë mbi një milion shqiptarë, për të shprehur vullnetin e tyre dhe për të marrë pjesë, jo thjesht në një referendum, por në një plebishit të vërtetë në mbrojtje të demokracisë", insistoi ai. Kreu i LSI-së shton se kushdo që do përpiqet që të sajojë pretekste ligjore, për të penguar popullin që të shprehë vullnetin e tij dhe të mbrojë veten e tij, do të mbetet i mjerë. "Ky proces referendar dhe plebishitar është i pandalshëm dhe nuk do të jetë e largët dita që populli shqiptar do të votojë me referendum dhe do të rikthejë Republikën parlamentare, duke i dhënë fund tiranisë së Sali Berishës, të sanksionuar në natën e errët të 21 prillit", nënvizoi Meta. Ish-kryeministri sqaroi se kushdo është i mirëpritur të bashkohet në këtë nismë. "Të gjithë janë të mirëpritur të reflektojnë, madje dhe të ndihmojnë veten për të korrigjuar pendesën që mund të ndjejnë", nënvizoi Meta. Burimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim sqarojnë se komiteti i mbrojtjes së Kushtetutës po përgatit procedurat e realizimit të referendumit. Normalisht do duhet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpërndajë formularin tip i cili do të plotësohet nga qytetarët. Pas shumëfishimit të tij, LSI do fillojë fazën e marrjen së firmave në popull. Pasi realizohet kjo etapë, i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë një verifikim të këtyre firmave. Pak ditë më parë drejtuesit e Partisë Socialiste deklaruan se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen e referendumit. Kjo pasi sipas selisë rozë është konsumuar koha kur mund të mblidheshin firmat e 28 deputetëve të Kuvendit. Aktualisht ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi për shkak se kreu i shtetit, Bamir Topi, i ka dekretuar ato. Nuk dihet se si do mund të arsyetohet kërkesa për referendumin pas këtyre argumenteve kundër që paraqesin socialistët. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ana e tyre kanë konfirmuar se nuk ka asnjë hapësirë ligjore që të ndalojë mbajtjen e referendumit.