E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi "mban peng" katër projektligje të rëndësishme

Parlamenti po "mban peng" katër projektligje të rëndësishme. Këto projektligje kanë qenë pjesë e kalendarit të punimeve nga 21 prilli deri më 12 janar, të vendosur nga Konferenca e Kryetarëve, por që nuk janë paraqitur për diskutim në komisionet parlamentare, të cilat për rrjedhojë më pas kalojnë për miratim në Kuvend. Projektligjet e rëndësishme, të cilat duhet të ishin diskutuar nga komisionet parlamentare, janë projektligji për shfuqizimin e moratoriumit për mjetet motorike lundruese. Propozim, i cili është paraqitur në Kuvend nga deputeti Neritan Ceka gati një muaj më parë, kur mbaroi edhe fati i veprimit të këtij ligji. Ky propozim duhej të diskutohej në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, nëse do të rihynte sërish në fuqi apo do të pushonte se vepruari, duke u lënë hapësirë të lirë veprimi mjeteve motorike lundruese. Projektligji i dytë, i cili nga politika është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm dhe që para gati një viti pati debate për të dhe u fut me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, por mbeti vetëm një tentativë, është projektligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve. Për këtë projektligj, në Kuvend janë depozituar tri drafte, një nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Në thelb, këto tri drafte nuk kanë ndonjë ndryshim të madh, por deri më tani nuk janë sjellë në sallën e Kuvendit për diskutim dhe më pas për miratim. Ky projektligj deri më tani është përdorur nga politika në prag fushatash elektorale, duke u përdorur si gur akuze ndaj forcave politike, pasi ata vetë kanë pranuar se edhe në sallën e Kuvendit ka mjaft politikanë, të cilët kanë probleme me figurën e tyre, duke rezultuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, vetë deputetët kanë deklaruar si ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit ka edhe në institucionet më të larta të shtetit, si në gjykata, në administratë etj. Sipas kalendarit të punimeve, nga 21 prilli deri më 12 maj këto projektligje duhej të ishin paraqitur për diskutim në Komisionin e Ligjeve. Deri më tani nuk ka ndodhur një veprim i tillë, ndaj ashtu si moratoriumi për skafet dhe ky shtyhet për kalendarin e ardhshëm parlamentar. Të njëjtin fat me dy projektligjet e lartpërmendura ka pasur edhe nisma e një grupi deputetësh për disa shtesa në ligjin nr. 8685, datë 9.11.2000, "Për trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë", të ndryshuar. Shkak për propozimin e këtyre ndryshimeve nga deputetët e Kuvendit u bënë disa aksidente të njëpasnjëshme, me pasojë vdekjen në minierën e Bulqizës. Aksidente, të cilat erdhën nga kushtet e këqija në punë, në galeritë e kësaj miniere. Këto vdekje u bënë shkak që minatorët e Bulqizës, të mbështetur edhe nga familjarët e tyre, të ngriheshin në greva të njëpasnjëshme, duke kërkuar kushte më të mira pune dhe sigurisht paga më të mira, pasi shpërblimi i tyre që kanë marrë gjatë këtyre viteve dhe vazhdojnë të marrin është qesharak dhe diskriminues. Ky projektligj duhej të ishte diskutuar në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Fat të njëjtë me këto projektligje ka ndarë edhe projektligji i katërt, i cili flet për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale. Aktualisht, kufizimi i imunitetit ka shkaktuar debate të shumta në politikën shqiptare, pasi brenda pak muajve dy deputetë, të cilët kanë mbajtur postet e ministrave, janë nën hetim nga organi i akuzës. Ndaj, deputetët kanë kërkuar kufizimin e imunitetit të tyre, por megjithëse në parim janë shprehur pro si PD-ja dhe PS-ja, projektligji që e kufizon këtë nuk është paraqitur ende në Kuvend. Ky projektligj duhej të ishte paraqitur për diskutim në Komisionin e Ligjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›