E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDR: Kufizimi i imunitetit, të nisë puna konkretisht

Heqja e imunitetit të deputetëve është kthyer në një temë kryesore në debatin politik. Në deklaratat mediatike, si drejtuesit e lartë të PD-së, ashtu edhe të PS-së, kanë pranuar se heqja e imunitetit është një hap pozitiv dhe duhet të realizohet sa më shpejt. Ky debat po zgjat për muaj me radhë, por asnjë forcë politike nuk po merr iniciativën për heqjen e imunitetit të deputetëve. Aleatët e PD-së dhe konkretisht reformatorët, nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Tritan Shehu, kanë kërkuar dje se duhet t‘u jepen fund debateve politike dhe të nisë puna konkretisht. "Tani duhet të shohim hapat konkretë që do të ndërmerren në realizimin e kësaj nisme", është shprehur Tritan Shehu. Duke theksuar se "deputet e PDR-së kanë firmosur edhe draftin që është propozuar për këtë qëllim, sepse realisht, pas gjithë këtij diskutimi që është bërë, ka ardhur momenti që të merren hapa konkretë në këtë drejtim". Sipas tij, një pengesë e fortë deri tani ka qenë PS-ja dhe grupi parlamentar i saj. Duke vlerësuar deklaratën e bërë dy ditë më parë nga kryetari i PS-së, Rama, i cili ishte në mbështetje të nismës së PD-së për çështjen e kufizimit të imuniteteve, deputeti i PDR-së ka vlerësuar se "kjo tregon që pozita dhe opozita bashkëpunojnë për atë që konsiderohet me një rëndësi të madhe dhe në interes të përbashkët për vendin". Gjithashtu, deklarata e kryetarit të PS-së, Rama, për kufizimin e imunitetit të deputetëve, është vlerësuar edhe nga deputeti i PD-së, Ferdinant Xhaferri. Ky i fundit ka vlerësuar bashkëpunimin e dy forcave kryesore politike për këtë çështje. "Arritjet në procesin e integrimit në NATO dhe BE kanë ndikuar që politika shqiptare të jetë më evropiane", është shprehur Xhaferri. Duke u ndalur te problemi i korrupsionit, Xhaferri ka theksuar se "korrupsioni ngelet ende një problem dhe në këtë kontekst vlen për t‘u vlerësuar deklarata e opozitës në mbështetje ndaj nismës për heqjen e imunitetit, si një masë që do të ndikojë në rënien e perceptimit të korrupsionit te qytetarët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›