E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi kritikon lëvizjet e Metës

Skënder Gjinushi deklaroi dje se referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese, i iniciuar nga partitë e vogla të majta, pengon integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Sipas tij, thirrja e bërë së fundi për mitingun nuk është një sinjal pozitiv për ecjen përpara të vendit tonë në rrugën e integrimit euroatlantik. "Ideja e tri partive të vogla opozitare, për të ftuar në shesh qytetarët, duke i nxitur ata për referendum popullor kundër paketës së ndryshimeve kushtetuese, nuk është rruga e drejtë për t‘i rrëzuar ato", konstatoi Gjinushi. Ai u shpreh se përçarja e opozitës nuk sjell gjë tjetër veçse humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. "Ne si grup parlamentar i PSD-së nuk mund t‘i bashkangjitemi një thirrjeje, që nuk synon gjë tjetër veçse humbjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe njëkohësisht shkatërrimin e Shqipërisë", theksoi Gjinushi. Duke iu referuar propozimit të bërë së fundmi për çështjen e imuniteteve, kreu socialdemokrat tha se ndryshimi i Kushtetutës sërish nuk do ishte i drejtë. Sipas tij, korrupsionin nuk e mbron imuniteti, por është politika ajo që i bën mburojë. Ky reagim për imunitetin vjen në një moment kur partitë kryesore të politikës kanë shprehur gatishmëri për të ndryshuar dokumentin themeltar, posaçërisht për këtë çështje. Nëse kjo ndodh, bëhet hera e tretë që është ndryshuar Kushtetuta së fundmi, pas shtimit të numrit të anëtarëve të KQZ-së dhe ndryshimeve të fundit për sistemin zgjedhor dhe zgjedhjen e Presidentit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›