Vasili: LSI në Fier po vijon punën
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se asnjë anëtar i LSI-së dega Fier nuk i është bashkangjitur Partisë Socialiste. Duke përgënjeshtruar kështu pretendimin e kreut të kësaj dege, deklaruar po dje në media. Haxhi Kalluci tha se ai dhe 150 anëtarë të LSI-së së kësaj dege i janë bashkangjitur PS-së, pasi ishin zhgënjyer nga politika totalitare e Ilir Metës. "Kalluci është shkarkuar prej më se një viti nga detyra e kryetarit të degës së LSI-së Fier, me vendim të kryesisë qendrore dhe prej asaj kohe nuk është përfaqësues i lëvizjes sonë", sqaroi sekretari i përgjithshëm i LSI-së. Vasili shpjegoi se Kalluci u shkarkua, pasi falsifikoi listën e kandidatëve për në Këshillin Bashkiak të Fierit, pas zgjedhjeve të 18 shkurtit të vitit të kaluar, duke vendosur në vend të anëtarëve, të afërm dhe miq të tij. "Nuk e kuptoj këtë paraqitje të tij në media, kur dihet se prej më se 6 muajsh, ai është anëtar i rregullt i PS-së dhe nënkryetar i bashkisë në rrethin e Fierit, po si përfaqësues i PS-së", nënvizoi Vasili. Ai sakaq hodhi poshtë edhe pretendimet e ish-kreut të LSI-së, dega Fier, se nga kjo forcë janë larguar 150 anëtarë të tjerë. "Madje, kohët e fundit në rrethin e Fierit janë regjistruar 900 anëtarë të rinj", konstatoi Vasili. Replikat e fundit nuk janë të parat, pasi lëvizjet e anëtarësisë dhe diversionet kanë karakterizuar partitë e majta, që pas korrikut të vitit 2005.