Rama: Do ndërtojmë çdo qytet e fshat
Kryetari i Partisë Socialiste ka vazhduar "Dialogun me Shqipërinë" në qytetin e Fushë-Krujës, ku në qendër të bashkëbisedimit ka qenë rinia. Gjatë bashkëbisedimit në këtë qytet, Rama vuri theksin tek 17 vjet të një politike të vjetër, e cila jep shfaqje në ekranet televizive. "Ku çdo ditë përmendet Shqipëria, por asnjëherë nuk është bërë asnjë gjë serioze për të ndryshuar fatet e shqiptarëve", tha Rama. Kjo, sipas tij, ka ndodhur pasi politika asnjëherë nuk ka qenë në duart e qytetarëve të këtij vendi, pasi në gjithë këto vite politika ka mbetur pronë e një grushti njerëzish që e kanë administruar atë, thjesht dhe vetëm për interesa personale. Për këtë arsye, u shpreh shefi i socialistëve, është koha t‘u kthejmë qytetarëve politikën si mjet në duart e tyre për të ndryshuar të ardhmen e tyre. "Sensi i dialogut me Shqipërinë është sensi i kësaj politike të re, që së bashku me ju të gjithë, unë po përpiqem që të ndërtojmë në çdo qytet dhe në çdo fshat, duke u dhënë mundësinë njerëzve që të mos jenë vetëm dëgjues pasiv, të mos jenë vetëm objekt, të mos jenë vetëm turmë përpara politikanëve, por të jenë dëgjues aktivë, subjekt dhe individë", vijoi Rama. Kreu socialist konstatoi se ka plot gjëra për të cilat ne ndajmë të njëjtin mendim. "Ka plot gjëra të cilat prej 17 vjetësh vazhdojnë të mbeten problem i madh, problem për familjet shqiptare, problem për të rejat dhe të rinjtë në mënyrë të veçantë", u shpreh Rama. Politika, tha kreu socialist, është pasioni i njeriut për t‘i ndryshuar gjërat, është misioni ynë i përbashkët, nuk është nevoja të jesh politikan. "Nuk është nevoja të bësh karrierë politike. Nuk është nevoja që të bësh pjesë në një organizatë politike për t‘u marrë me politikë", insistoi ai. Në këndvështrimin e Ramës është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë që të gjithë se asgjë nuk do të ndryshojë ashtu siç duhet dhe asgjë nuk do të ndryshojë ashtu siç e duam ne të ndryshojë, në rast se ne të gjithë së bashku nuk do ta ndryshojmë politikën. "Fatin tonë e kanë pasur një grusht njerëzish, të cilët qëndrojnë mbyllur në kutinë e televizorit dhe dalin që aty vetëm kur është fjala për të bërë fushata elektorale dhe vetëm për të kërkuar votën, e për t‘u futur më pas në kutinë e televizorit, e më pas që aty vazhdojnë të na japin atë shfaqje që kemi 17 vjet që e shohim, sherre, konflikte, ndasi", konstatoi Rama. Një shfaqje, ku, sipas tij, gjithë kohën flitet në emrin tonë, por për asnjë moment nuk punohet për ne. "Një shfaqje, që gjatë gjithë kohës flitet në emër të popullit, por asnjë moment nuk punohet seriozisht për popullin. Një shfaqje ku përmendet Shqipëria, por për asnjë moment nuk bëhet diçka serioze për Shqipërinë", tha Rama. Lideri i opozitës mendon se kjo është një shfaqje që ka vazhduar për 17 vjet, duke na bërë të gjithëve ne skllevër. "Kjo është një shfaqje që vazhdon në kutinë e televizorit, midis politikanëve. Kjo është një lojë me fatin tonë, me fëmijët e Shqipërisë, që lindin çdo ditë dhe rriten mes 1001 vështirësive", vijoi Rama. Politika, insistoi ai, është mundësia që ka çdo qytetar për të ndikuar dhe për të ndryshuar jetën e vet, duke u bashkuar me të tjerët. "Duke u organizuar me të tjerët dhe bashkë me të tjerët, duke çuar kudo mesazhin për gjërat që duhet të ndryshojnë, duke mos lejuar më, që me votën e tij, ata që votohen të vazhdojnë të luajnë me të", u shpreh kreu socialist.