E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet projektligji "Për falimentin"

Projektligji "Për falimentin" është rikthyer sërish në Kuvendin e Shqipërisë, për të nisur nga e para diskutimet për disa ndryshime të tij. Burime zyrtare nga Kuvendi bënë me dije se, projektligji në fjalë do të diskutohet sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, nga ku priten të zhvillohen debate të forta mes anëtarëve të komisionit. Në thelb, drafti i qeverisë synon përshpejtimin e procedurave të falimentimin për bizneset, të cilat nuk kanë aftësi paguese ndaj palëve të treta. Kështu, nga tre vjet që ishte në ligjin e mëparshëm, tashmë për subjektet private, që rezultojnë me bilance pasive ose me humbje për dy vjet rresht, gjykata ka të drejtë të nisë shqyrtimin e procesit për falimentin, gjithnjë nëse merr aprovimin e administratës tatimore. Kjo e fundit, të dhënat për bilancet i merr në zyrat e Qendrës së Regjistrimit të Biznesit (QKR), e cila duke nisur nga dita kur do të hyjë në fuqi ligji, do përllogarisë të gjitha afatet për subjektet me probleme tek aftësia paguese. Po ashtu, në ligj janë parashikuar edhe periudhat se kur gjykata përfundon çështjen, si dhe kur tatimori njofton subjektin për nisjen e falimentit. Burime nga Ministria e Financave shprehen për gazetën "Shqip", se ligji nuk sjell detyrimisht falimentimin për bizneset, të cilat rezultojnë me humbje në bilanc në dy vite aktivitet. Ekspertë të Financave sqarojnë faktin, se do të shikohen mirë rastet kur subjektet private kanë investuar në vitet e para të krijimit, në mënyrë që vendimi për nisjen e procedurave të falimentimit të jetë sa më i drejtë. Projektligji u shty për miratim, pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, i cili argumentoi për disa rishikime të draftit, të cilat do diskutohen sot në komision.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›