Berisha: “Përshëndes Ministrinë e Ekonomisë për punën e shkëlqyer”
Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, dje, në mbledhjen e Task-Forcës, ka përshëndetur punën e mirë të Ministrisë së Ekonomisë për reformën rregullatore të inspektorateve. “Dëshiroj të përshëndes sot punën e shkëlqyer që është bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë në kompletimin, në finalizimin e njërës prej reformave më kryesore në fushën e tregut dhe të ekonomisë, reformës së inspektorateve dhe inspektimit, fryt i një pune shumë të vëmendshme, të përkushtuar dhe me ekspertizën më të mirë, nga më të mirat në botë nga grupi i BB-së, i cili ka drejtuar, ka mbështetur me ekspertizë reformën e inspektorateve në të gjitha vendet ish-komuniste, por natyrisht, edhe shprehje e një domosdoshmërie të madhe për reformimin e këtij sistemi në Shqipëri”, - u shpreh Berisha. Duke e cilësuar inspektimin në tërësi, një sistem jetik në zhvillimin e biznesit, për mbrojtjen e interesave të tij dhe për mbrojtjen e interesave të konsumatorit, kryeministri theksoi se domosdoshmëria për reformën e këtij sistemi është shprehur nga të gjitha agjencitë e vendit dhe të gjitha ministritë, të cilat, duke i ndjerë problemet e funksionimit të tyre u angazhuan me seriozitetin më të madh për këtë reformë. Kryeministri u shpreh se kjo reformë sjell ndryshime shumë të mëdha dhe të gjithanshme, para së gjithash në parimin e funksionimit të këtij sistemi. Berisha theksoi se zvogëlimi i numrit të inspektorateve nga 36 në 11 të tilla, pa zvogëluar funksionin e tyre, ka qenë një ndër konkluzionet më të drejta. Vendosja e këtyre inspektorateve në një ligj horizontal siguron aplikimin e standardeve më të larta europiane dhe transparente. Gjithashtu, kryeministri theksoi se unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së inspektorateve përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri. “Vendosja e këtyre inspektimeve mbi bazën e një ligji horizontal, pra unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së tyre, përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri. Risi e këtij sistemi është dhe krijimi i inspektoratit të përgjithshëm me kompetenca të kufizuara, që do të thotë se ky inspektorat i përgjithshëm nuk do të ketë tagrin e marrjes së detyrave të inspektorit sipas inspektorateve, por do të ketë fuqinë e plotë të kontrollit të tyre, detyrën për një veprimtari tërësisht të dixhitalizuar, në mënyrë që kudo që këta shkojnë të ketë gjurmë”, - tha Berisha.
7 Korrik 2010