Meta: Nxjerrim nga varfëria 1 milion shqiptarë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, premtoi dje nga qyteti i Lezhës, se në katër vitet e ardhshme qeveria e re do të krijojë 100 mijë vende pune. “Deri në vitin 2013, me Vitor Tushën Kryetar Bashkie dhe Ilir Metën Kryeministër, asnjë lezhjan nuk do të mbesë pa punë. Ne do ta kthejmë Lezhën në një perlë të Adriatikut tonë, që të konkurrojë me dinjitet edhe perlat e Adriatikut në Itali. Dua t’ju siguroj të gjithëve se me 29 Qershor do të krijojmë maxhorancën e re parlamentare dhe unë do të insistoj se me të gjithë faktorët socialistë dhe progresistë, për të krijuar këtë Qeveri, që të fusim Shqipërinë në BE me program dhe jo me fjalë”, theksoi Meta gjatë një takimi në Lezhë. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se “Plani për veprim”, i hartuar nga kjo forcë politike, garanton nxjerrjen nga varfëria të një milion qytetarëve. Gjatë një takimi me banorët e lagjes “Partizani”, të qytetit të Vlorës, kreu i LSI-së theksoi se “Plani ynë për Veprim” është plani që ndihmon gati 1 milion shqiptarë që të kapërcejë njëherë e mirë pragun e varfërisë. Është plani që e fut shoqërinë shqiptare në rrugën e qëndrueshme, por edhe të solidaritetit social, prandaj votoni Lëvizjen Socialiste për Integrim”. Sipas tij, “Plani ynë për Veprim” përveç punësimit të qëndrueshëm garanton punësim jetik, që do të thotë që për çdo familje të varfër shqiptare që jeton nën minimumin jetik ne do të ofrojmë të paktën një vend pune, në mënyrë që çdo familje të ketë një bazë të qëndrueshme të ardhurash për të përballuar me dinjitet jetën dhe koston e jetesës. “Plani ynë për veprim ndihmon komunitetin tuaj, sepse me masa dhe politika konkrete ne ulim koston e jetesës për shtresat më të varfra të vendit, që nga heqja e tatimit për të ardhurat dhe pagat e ulëta, deri në 250 mijë lekë në muaj e deri me lehtësirat që bëhen për pagat nga 250 deri në 500 mijë lekë në muaj. Që nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë të shportës e deri te përgjysmimi i TVSH-së për faturat e energjisë elektrike dhe çmimi i subvencionuar për 300 kv/orë në muaj për konsumatorët familjar”, vijoi më tej Meta. Gjatë këtij takimi, Meta shoqërohej nga kandidatët për deputetë të LSI, Shkëlqim Selami, Besjan Pesha, Besnik Elezi, Harilla Thanasko. Duke u ndalur në problemet e kësaj zone, kreu i LSI-së theksoi se është e patolerueshme që kjo zonë vetëm pak metra larg detit, është e mbushur nga plehrat që digjen gjatë gjithë ditës dhe rrezikojnë jetën e banorëve. “Çudi si nuk kujtohet njeri nga deputetët, çudi si nuk kujtohet njeri nga bashkia, nga qeveria, për ata njerëz që jetojnë atje rrezikun e vdekjes. Dhe ku ndodh kjo? Në Vlorë, dhe ku ndodh kjo, vetëm pak metra larg detit. Është turp të dëgjojmë pas 18 vjetësh që një pjesë e lagjes tuaj nuk ka ujë të pijshëm, si do të bëhet Vlora turistike, duke djegur plehrat në atë mënyrë atje buzë detit, duke pasur zona të tëra ende pa ujë”, vijoi më tej Meta.