PS firmos me minatorët për zgjedhjet
Partia Socialiste dhe Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë kanë nënshkruar dje një marrëveshje me njëra-tjetrën për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe më pas për të plotësuar kërkesat e kësaj kategorie. Sipas kësaj marrëveshje, Sindikata e Minatorëve angazhohet që t’u bëjë thirrje të gjithë minatorëve të Shqipërisë dhe familjeve të tyre për të votuar alternativën socialiste, si pjesë e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim” në zgjedhjet e Qershorit, 2009. Ndërkohë PS angazhohet se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me Sindikatën e Minatorëve të Shqipërisë, duke komunikuar e më vonë formuluar instrumentet konkretë për plotësimin e kërkesave të tyre. “PSSH, ka pranuar se është dakord në parim me kërkesat e minatorëve të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Sindikata, dhe siguron se do të sensibilizojë në çdo rrethanë Kuvendin e Shqipërisë mbi çështjet e minatorëve dhe do t’i mbështesë ato”, thuhet në marrëveshjen e firmosur dje nga Rama dhe Xibri i minatorëve. Gjithashtu sindikata e minatorëve do të vërë në shërbim të fushatës zgjedhore 2009 për PS-në të gjitha degët dhe nëndegët, në mënyrë që secila votë e minatorëve të shkojë në favor të koalicionit të drejtuar nga PS-ja.