E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe: Me Gjeorgjinë do të luajmë me të rinjtë

 

LEONARD KARAJ

Shansi për të rinjtë. Në miqësoren e mbrëmjes së sotme trajneri i Kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka pohuar se do të aktivizojë të gjithë futbollistët që ka grumbulluar. Kombëtarja shqiptare sot do të luajë ndeshjen e dytë nën drejtimin e Kuzhesë ndaj Gjeorgjisë së Hektor Kuper. Pas atmosferës së mirë të krijuar pas ndeshjes me Portugalinë, trajneri kuqezi u shpreh optimist për ta ruajtur këtë atmosferë, ndërsa deklaroi se në fushë do të luajnë vetëm lojtarë të rinj. “Qëllimi ynë në këtë ndeshje është të testojmë disa nga lojtarët e rinj, që nuk kanë pasur mundësi të luajnë në ndeshjet zyrtare si edhe të mbajmë një atmosferë të mirë pas Portugalisë. Unë për arsye egoizmi mund të mbaja në skuadër edhe lojtarë si Skela apo Bogdani, por ne kemi një program të rëndësishëm për të provuar këta futbollistë të rinj dhe natyrisht për të rrezikuar më shumë. Unë jam shumë i lumtur që u jap shansin lojtarëve si Ujkani, Vila, Muzaka apo Hyka”, pohoi trajneri i kuqezinjve.
Formacioni
Ndonëse ashtu sikundër Portugalisë edhe ndaj Gjeorgjisë trajneri nuk dha detaje për formacionin një gjë është thuajse e sigurt se skuadra jonë do të luajë me dy sulmues. Këtë fakt e pohoi edhe vetë Kuzhe gjatë konferencës për shtyp. “Unë mendoj që të luajmë në sulm me Kapllanin dhe Salihin, sepse në ndeshjet me Gjeorgjinë apo me Qipron, ne do të krijojmë bazën për të ardhmen. Gjithashtu më vjen mirë që me Portugalinë gjetëm rrugën e golit, pasi që pas ndeshjes me Maltën, Shqipëria nuk kishte shënuar më. Shpresoj që nesër (sot) jo vetëm të fitojmë por edhe të bëjmë një lojë të bukur për të kënaqur tifozët e Kombëtares”, tha Kuzhe.
Objektivi
Nuk u la pa përmendur në konferencë edhe deklarata e Josip Kuzhesë e dy ditëve më parë ku ai pohonte se do ta çonte Shqipërinë në Evropianin e 2012-ës. “Kam deklaruar se kam ardhur këtu për të fituar, pavarësisht se synimet mund të jenë më pak realiste. Unë do të provoj me të gjitha forcat që të ndërtoj një skuadër kompetitive e cila të ketë synime serioze për kualifikimet e evropianit të 2012-ës”, përfundoi Kuzhe. Takimi mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do të luhet sonte në orën 19:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Kuper: Kemi mungesa, por do fitojmë me Shqipërinë

Gjeorgjia mbërriti në Shqipëri me një synim as më pak e as më shumë, por fitoren. Këtë e bëri të ditur trajneri argjentinas Hektor Kuper gjatë konferencës së tij për shtyp. “Ne luajmë gjithmonë për të fituar, kjo është në filozofinë e lojës sonë, pavarësisht se në Shqipëri kemi ardhur me gjashtë mungesa të lojtarëve titullarë”, ka pohuar argjentinasi, i cili më parë ka drejtuar edhe skuadra si Valencia, Majorka dhe Inter. Kombëtarja gjeorgjiane mbërriti dje në Tiranë rreth mesditës dhe pasditen e djeshme zhvilloi edhe një seancë stërvitore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ku do të zhvillohet edhe ndeshja e sotme. “E di që Shqipëria do të luajë me një skuadër të re, por siç u thashë edhe më lart edhe unë kam grumbulluar shumë futbollistë të rinj të cilët luajnë në kampionatin vendas të Gjeorgjisë. Ideja ime është ndërtimi i një skuadre kompetitive për kualifikimet e evropianit të ardhshëm ndaj edhe këto ndeshje miqësore vlejnë për të zbuluar talente të rinj dhe për të rinovuar skuadrën. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se nesër (sot) ne nuk do t’i kushtojmë rëndësi rezultatit. Ne duam të fitojmë dhe nëse kjo vjen edhe pas një loje të mirë aq më mirë akoma”, ka pohuar Kuper.

Precedentët me Gjeorgjinë

Statistikat e 10 ndeshjeve flasin tërësisht për gjeorgjianët, të cilët kanë fituar dyfishin tonë: 6 ndeshje, kundrejt 3 të Shqipërisë, ndërkohë që është fiksuar vetëm një barazim. Golavarazhi, natyrshëm që ka shenjën e gjeorgjianëve 16-8. Takimi i parë është luajtur gati 15 vjet më parë, më 14 dhjetor 1994, një ndeshje e humbur 0-1 në “Qemal Stafa”. Pesë prej 10 takimeve janë luajtur në Tiranë, ndërkohë që katër prej tyre janë luajtur në Gjeorgji dhe një tjetër në fushën neutrale të Maltës për turneun “Rothmans”. Tre fitoret e Shqipërisë janë realizuar të gjitha në “Qemal Stafa”, teksa ka fituar 2 herë edhe Gjeorgjia. Takimi i fundit i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka qenë në miqësoren e luajtur, më 22 mars 2006 në “Qemal Stafa” (0-0).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›