E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Opozita duhet të kontribuojë në liberalizimin e vizave me BE-në”

Qeveria shqiptare dorëzoi dje në KE raportin e plotësimit të detyrimeve. “Ata që përpiqen ta vonojnë këtë proces, do të marrin ndëshkimin e qytetarëve”

Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i bëri thirrje dje opozitës socialiste që të japë kontributin e saj për procesin e liberalizimit të vizave të shqiptarëve me vendet e Bashkimit Europian. Këtë deklaratë Meta e bëri dje gjatë një konference për shtyp, ku bëri të ditur se qeveria shqiptare ka dorëzuar dje në Komisionin Europian raportin e dytë mbi plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm dha garanci se qeveria shqiptare është mëse e vendosur që brenda vitit të ardhshëm të përmbushë të gjitha detyrimet dhe të firmosë heqjen e regjimit të vizave me vendet e BE-së. Ndërsa ka komentuar protestën që paralajmëroi dje kreu i PS-së, Edi Rama, ministri i Jashtëm, Meta, e cilësoi të pakuptimtë dhe tha se ata që përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE do të ndëshkohen nga qytetarët shqiptarë.
Deklarata
“Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita, pa dyshim, që është e lirë të bëjë dhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit europian, unë këtë nuk arrij dot ta kuptoj. Ndërkohë që qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe, natyrisht, ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE-së”, - është shprehur Meta, ndërsa ka risjellë në vëmendje ftesën e Berishës për të bashkëpunuar me opozitën për reformën zgjedhore. “Në këtë drejtim, ju e dini shumë mirë, edhe kryeministri Berisha, edhe maxhoranca në tërësi, kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e PS-së të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të Kodit Zgjedhor. Kjo është një zgjedhje e opozitës që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë”, - është shprehur zëvendëskryeministri. Gjatë fjalës së tij Meta dha garanci se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të realizuar liberalizimin e vizave brenda vitit të ardhshëm. “Të jeni të sigurt se qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit europian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar, sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit”, - është shprehur kreu i diplomacisë shqiptare.
Raporti
Ndërkaq Meta ka bërë të ditur se raporti që i është dorëzuar dje Komisionit Europian përmban informacion të detajuar mbi ecurinë e deritanishme të vendit për çështje të caktuara që lidhen me pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike dhe mbrojtjen e kufijve. “Ministria e Punëve të Jashtme dorëzon raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Raporti u miratua në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik, si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut. Përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga Udhërrëfyesi i Komisionit Europian. Do të ishte në interes të vendit që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - është shprehur Meta.

Enciklopedia, Meta përshëndet reflektimin nga qeveria maqedonase

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, i pyetur për çështjen e shtrembërimit të historisë së Shqipërisë në Enciklopedinë e botuar në shtetin fqinj, Maqedoni, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u shpreh se e ka ndjekur me vëmendje debatin dhe polemikat për këtë çështje. “Qeveria shqiptare i ka ndjekur me vëmendje dhe me shqetësim zhvillimet e fundit në Maqedoni, si dhe reagimet e polemikat që solli botimi i Enciklopedisë nga Akademia e Shkencave të këtij vendi fqinj. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë që vepra të tilla, dokumente të tilla, që janë shumë të rëndësishme, të mos i shërbejnë provokimit dhe tensioneve ndëretnike, të mos fyejnë komunitetet apo kombet e tjera”, - është shprehur Meta, ndërsa ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Maqedonisë, e cila ka tërhequr Enciklopedinë nga tregu në mënyrë që ta rishikojë historinë. “Me këtë rast ne shprehim kënaqësinë për reflektimin lidhur me rishikimin e kësaj Enciklopedie dhe do të donim që të gjithë në Maqedoni të investohen për të respektuar me tolerancë dhe me përgjegjshmëri historinë e secilit dhe të gjithë të kuptojnë se ne kemi një të ardhme të përbashkët, dhe për këtë është mënyra më e mirë që të investojmë energjitë tona dhe vizionin tonë, që është pikërisht anëtarësimi në BE. Ndaj, ne do t’i ftonim të gjithë që të forcojmë bashkëpunimin dhe t’i lëmë pas këto provokime dhe tensione që nuk i shërbejnë as stabilitetit të këtij vendi fqinj, që është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin e rajonit tonë, por as axhendës europiane të Maqedonisë dhe të gjithë rajonit tonë”, - është shprehur Meta.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›