E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presionet e buta të Ministrisë së Arsimit mbi Presidentin pas zgjedhjeve

Ministria e Arsimit bllokoi konkurrimin e vajzës së Presidentit për Magjistraturë

Dje, Magjistratura shpalli 10 kandidatët fitues të konkursit, mes të cilëve u konfirmua dhe vajza e Presidentit të Republikës. Por duket se ky lajm i mirë për vajzën e presidentit është paraprirë nga një tentativë 2-mujore e Ministrisë së Arsimit për të bllokuar në konkurrim të gjithë studentët që kishin përfunduar studimet këtë vit, mes të cilëve dhe vajza e kreut të shtetit. E gjithë kjo situatë bllokuese erdhi pas një urdhri të ish-ministrit të Arsimit, Fatos Beja, në muajin korrik 2009, muaj ky që vinte fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit e ku pritshmëria e qeverisë ishte që kreu i shtetit të shpallte dhe të mbështeste fitoren e demokratëve. Pikërisht në pikun e kësaj lufte nervash mes institucioneve qeveritare dhe institucionit të Presidencës, ia behu një urdhër i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, më 20 korrik, i cili përjashtonte nga konkurrimi të gjithë studentët e Juridikut që kishin përfunduar në vitet 2008-2009. Në këtë kategori përfshihej dhe vetë vajza e kreut të shtetit, e cila kishte aplikuar për konkursin që para se urdhri i ministrit të shpallej.
Konteksti
Që prej 20 korrikut, kur doli urdhri i ministrit të Arsimit, e deri në dhjetëditëshin e fundit të muajit shtator, situata për këtë grup të laureuarish të Fakultetit Juridik ishte në pikëpyetje. Por, çuditërisht, ky bllokim shkonte paralel me ngërçin dhe pakënaqësinë që qeveria po shprehte çdo ditë e më shumë mbi qëndrimin neutral të Presidentit të Republikës mbi mënyrën se si shkoi procesi zgjedhor. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, kreu i shtetit shmangu çdo koment mbi zgjedhjet, duke pritur në mënyrë rigoroze jo vetëm ezaurimin e gjithë procesit ligjor të ankimimeve, por duke qëndruar në pritje të konkluzioneve të ODIHR-it. Gjatë gjithë këtyre ditëve të “pritshmërisë” nga të gjitha palët, qeveria dhe sidomos disa prej strukturave të PD-së nuk ngurruan të shpallnin hapur pakënaqësinë e tyre, apo në disa raste edhe zemërimin me qëndrimin e kreut të shtetit, që sipas tyre nuk mund të ishte neutral në kushtet kur fitorja e PD-së ishte evidente.
Zhbllokimi
Të gjithë studentët e Juridikut që përfunduan studimet në vitin 2009, për rreth dy muaj kanë përjetuar pasigurinë e përfshirjes ose jo në konkursin e Magjistraturës. Bordi i Shkollës së Magjistraturës, pas disa shtyrjesh, vendosi që konkursi të zhvillohej më 22 shtator të këtij viti dhe zhbllokimi i situatës erdhi vetëm tri ditë para datës së provimit. Lajmin e mirë për studentët e dha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili konfirmoi faktin se ministri i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i kishte dërguar Shkollës së Magjistraturës një tjetër shkresë që rrëzonte atë të ish-ministrit Beja dhe që u hapte dritën jeshile studentëve të futeshin në konkurrim. Kjo shkresë erdhi nga një ministër i ri, i një qeverie të re, e cila në momentin kur u vulos shkresa kishte ezauruar të gjitha etapat ligjore të certifikimit të zgjedhjeve dhe që kishte tanimë garancitë e duhura për të qeverisur, pasi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i kishte dekretuar ministrat e rinj të kësaj qeverie në një ceremoni jo dhe aq entuziaste që u zhvillua në Presidencë.

Rrëfimi i Moisiut: Shantazhet që më bëri Berisha për heqjen e Sollakut

“Ndoshta mjeranët që kanë për të paguar ryshfetet për gjyqtarët. Ja, pra, shfajësimi i atij që ka rolin vendimtar në mbrojtjen e sistemit të Drejtësisë, na lë të pashpresë, në pritje të ‘zbutjes graduale të korrupsionit me kalimin e kohës’! Pra, ndoshta, janë këto e shumë gjëra të tjera që e kanë detyruar znj. Topalli të shprehet: ‘I kërkojmë ndjesë popullit për zgjedhjen e presidentit’. Rasti i kompanisë fluturuese ‘Albatros’ është interesant për të kuptuar faktin se kritikat e autorit ndaj qeverisë nuk mbështeten mbi arsyetime ligjore, por mbi argumente klanore. Them klanore sepse përgjatë librit autori ‘sulmon’ shpesh, sipas tij, mendësinë klanore të politikanëve shqiptarë, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk pranon se gjithë kjo kritikë për të mbrojtur Albatrosin, ka në themel mendësinë e tij klanore meqenëse kompania është e nipërve të tij. Pasi kundërshton me forcë faktin se për ndërprerjen e kompanisë nuk u respektua ligji, sulmon kompaninë tjetër, por duke harruar se në të njëjtën mënyrë operonte kompania e mëparshme. ‘... duke vënë në jetë atë që thuhet: Jo Ligji, por Maliqi, derisa e detyroi Albatrosin të falimentonte. Me këtë rast, si pa u ndier, iu hap rruga kompanisë tjetër ajrore, ‘Belleair’, të operonte suksesshëm dhe pa konkurrent, ku një ndër pronarët kryesorë është njeriu i Bashës, të lidhur një dreq e di se me kë në këtë shoqëri që më shumë i ngjan një karteli mafioz, sesa një shteti ligjor europian”.
* Shkëputur nga libri i ish-presidentit Moisiu

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›