Presidenti Topi takon kreun e Bashkisë së Torinos: “I rëndësishëm bashkëpunimi midis dy vendeve”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryetarin e Bashkisë së Torinos, Serxho Kiamparino, me të cilin zhvilloi një bisedë, e cila u përqendrua në bashkëpunimin e ndërsjellë në fushat me interes, si në atë institucionale, ekonomike e tregtare, arsimore e kulturore. Në këtë takim, kryetari i shtetit nënvizoi rëndësinë e veçantë që mbart bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe strukturave përkatëse të tij dhe vuri në dukje se përvoja e autoriteteve vendore të një rajoni kaq të zhvilluar si Piemonti, është një referencë pozitive, me interes dhe një kontribut e ndihmesë për strukturat e pushtetit tonë vendor në ushtrimin e kompetencave të tyre dhe realizimin e reformave të rëndësishme.
Gjithashtu, kryetari i shtetit u ndal në rëndësinë e vijimit të hartimit dhe të zbatimit të planeve konkrete të bashkëpunimit në fusha të caktuara si ajo e industrisë, turizmit, arsimit etj. Në këtë kontekst, presidenti Topi nënvizoi angazhimin e tij në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm midis universiteteve politeknike dhe atij të Studimeve të Torinos dhe Universitetit të Tiranës, fakulteteve të mjekësisë veterinare të Torinos dhe atij të Kamzës. Në vijim të bisedës, Presidenti i Republikës vuri në dukje dhe një herë mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bizneset prestigjioze të huaja, ndërkohë që për investitorët italianë ajo ofron një seri faktorësh nxitës e tërheqës, siç janë: afërsia gjeografike, ajo shpirtërore, ekzistenca e një bashkësie të shumtë, të konsoliduar dhe plotësisht të integruar shqiptare në Itali dhe sidomos në Piemont, kuadri ligjor favorizues, politikat lehtësuese fiskale, klima e bashkëpunimit dhe ndjenja e ndërsjellë e besimit dhe e sigurisë, njohja e gjuhës italiane prej një pjese të mirë të popullsisë shqiptare etj. Në këtë kuadër, presidenti Topi shprehu besimin se bashkëpunimi dhe investimet dhe ndërmarrjet italiane në Shqipëri do të vijojnë me të njëjtin intensitet dhe cilësi, duke zgjeruar më tej fushën e veprimtarisë së tyre. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Torinos, Serxho Kiamparino, vuri në dukje ndjenjat e përforcuara të miqësisë dhe marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve.
2 Tetor 2009