E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Opozita e vërtetë të mbrojë gjyqësorin”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Berisha në një shou të shëmtuar televiziv në orët e vona të mbrëmjes, u përpoq t i bindtte shqiptarët se Qeveria e tij ka luftuar korrupsionin gjoja me e efikasitet. Monologut të tij të gjatë televiziv, që pati shumë demagogji dhe retorikë, i mungoi pikërisht përgjigjja ndaj kryengjarjes së korrupsionit në Shqipëri e përtej saj, aferës së zezë të Gërdecit”

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, rifton përsëri kryesocialistin Edi Rama të ndërpresë bashkëpunimin me Sali Berishën. Meta pohoi dje se forcat opozitare duhet të reflektojnë edhe në vend që të ofrojnë bashkëpunim për pseudoreformën në Drejtësi duhet të vendosen qartë në mbrojtje të gjyqësorit dhe të heqin dorë nga lojërat e dyfishta. Reagimet e kreut të LSI-së vijnë pas deklarimeve të kryeministrit Sali Berisha, i cili lajmëroi heqjen e imunitetit të gjykatësve dhe prokurorëve. Meta e krahasoi konferencën e Berishës me një monolog pa demagogji që i mungoi përgjigjja ndaj kryengjarjes së korrupsionit, aferës së Gërdecit ndërsa shtoi se Kryeministri po vë në presion drejtësinë për të fshehur pikërisht këtë tragjedi.
Ftesa
“U kërkojmë të gjitha forcave të vërteta opozitare që të reflektojnë, që në vend që t i ofrojnë bashkëpunim Sali Berishës për pseudoreformën në Drejtësi, të pozicionohen qartë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit, dhe të heqin dorë nga lojërat e dyfishta të bëra deri tani”, - tha dje Meta gjatë komenteve lidhur me deklaratën e kreut të Qeverisë. Sipas tij, Berisha në një shou të shëmtuar televiziv në orët e vona të mbrëmjes, u përpoq t i bindtte shqiptarët se Qeveria e tij ka luftuar korrupsionin gjoja me efikasitet. “Monologut të tij të gjatë televiziv, që pati shumë demagogji dhe retorikë, i mungoi pikërisht përgjigjja ndaj kryengjarjes së korrupsionit në Shqipëri e përtej saj, aferës së zezë të Gërdecit. LSI-ja dhe shumica e shqiptarëve nuk presin më të shikojnë reflektimin e këtij Kryeministri për të krijuar transparencën e domosdoshme të kësaj afere, që sipas partnerëve tanë, edhe atyre amerikanë, duhet të përcaktojë ecurinë e mëtejshme të anëtarësimit tonë në NATO dhe në BE”, - tha Meta. Ai ka pohuar më tej se ajo që serviri Kryeministri ishte vendosmëria e tij për të vazhduar në të njëjtën rrugë të uzurpimit të pushteteve të pavarura, jo për të rritur efikasitetin e tyre e për të luftuar korrupsionin, por pikërisht për t i intimiduar organet e drejtësisë, në mënyrë që e vërteta e Gërdecit, dhe e aferave të tjera berishiane të mos dalë asnjëherë në dritë. Madje, sipas Metës, Berisha u përpoq të frikësonte prokurorët me heqje imuniteti dhe deri me pranga, ndërsa nuk e fshehu dëshirën e tij për të qenë në kontroll të plotë të sistemit gjyqësor, që me Kushtetutë është një pushteti i pavarur. Meta iu rikthye akuzave dhe për selinë rozë, ndërsa kujtoi se qëllimeve uzurpuuese të kreut të ekzekutivit ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit, i shërbejnë një numër ndryshimesh antikushtetuese ligjore, të cilat ai i ka realizuar, jo vetëm me mazhorancën e tij, por fatkeqësisht, edhe me votat e Partisë Socialiste. Meta kundështoi draftin më të fundit të Qeverisë në kuadër të Reformës në Drejtësi ndërsa pohoi se projektligji “Për administratën gjyqësore” sipas të cilit i jepen kompetenca të plotfuqishme kancelarit dhe sekretarëve në gjykata, ka qëllime të qarta për të mbërthyer e kontrolluar me mekanizma administrative dhe qeveritare, pavarësinë e sistemit të organeve të drejtësisë. “Ky qëllim antikushtetues e ka origjinën e tij pikërisht në miratimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, që i vendos shërbimet administrative të gjykatave në vartësi të ekzekutivit, duke cenuar kështu rëndë parimin kushtetues të pavarësisë organizative, funksionale dhe financiare të gjykatave. Në këtë linjë kontrolli e uzurpimi shkon edhe regjistrimi i pronave të gjykatave që tashmë do të bëhen në emër të Ministrisë së Drejtësisë, pra një tjetër veprim antikushtetues”, - tha ai. Ndaj sipas Metës, LSI-ja shpreh qëndrimin e saj edhe njëherë se reformimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri, kërkon një konsolidim të mëtejshëm të pavarësisë së tij, që nuk mund të realizohet nga Sali Berisha, i cili ka një konflikt të madh interesi me të, pasi është vetë i akuzuari i madh i tij.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›