E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: “Lugina Tiranë-Durrës, të rikthehet studimi për zonë industriale”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes dhe shoqërive të shpallura fituese në procedurën e garës për dhënien e statusit të zhvilluesit të parqeve industriale në Vlorë, Shëngjin dhe Koplik, e cila u zhvillua në ambientet e hotel “Tirana International”. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se krijimi i parqeve industriale është një moment i rëndësishëm pasi hap një kapitull të ri në përpjekjet e qeverisë për të krijuar një mjedis sa më miqësor ndaj biznesit. Kryeministri theksoi se parqet industriale do të shndërrohen në gjenerator të fuqishëm punësimi në vend. “Ju jeni gjeneratorët e zhvillimit, të punësimit në këtë vend dhe Qeveria është e vendosur t ju mbështesë në çdo përpjekje, si dhe të vendosë në Shqipëri ligjet më të mira, praktikat më të avancuara, në mënyrë që ju të keni sukses të plotë”, - tha kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit theksoi më tej se “Qeveria në këtë rast ka marrë vendim të drejtë për të mos i menaxhuar vetë, por t ia besojë sektorit privat menaxhimin e këtyre kompanive, pasi ata mund t i administrojnë pakrahasimisht shumë më mirë sesa Qeveria dhe instrumentet e saj. Parqet e sotme nuk janë një sipërfaqe shumë e madhe, por janë një shembull udhëheqës për të gjitha qytetet dhe zona të tjera të vendit. Uroj që me këtë të shlyejnë sa më shpejt nga memoria e shqiptarëve, shfaqjet e shëmtuara antiglobaliste ndaj një investimi shumë serioz, Petroliferës. Mendoj gjithashtu se duhet t i kthehemi studimit të “Makensey”. Ajo është një nga kompanitë me serioze në botë dhe ka bërë një studim të mrekullueshëm për luginën Tiranë-Durrës. Ne duhet të rivendosim bashkëpunimin me këtë kompani, me të cilën për disa rrethana, jo të qeverisë, ka pasur ndonjë keqkuptim me ta. Duhet parë me përparësi kjo zonë. Ne kemi në Spitallë 800 ha, por në projektin e “Makensey” ne mund të fitojmë mijëra hektarë. Faktikisht, po ndodh që Tirana dhe Durrësi po bashkohen si zona industriale. Prandaj, le të shohim me përparësi se çfarë lehtësish duhet t u ofrojmë këtyre investitorëve dhe cila duhet të jetë përshtatja e infrastrukturës. Ata kanë vështirësi dhe për infrastrukturën. Në raste të caktuara, ne jo vetëm që nuk i ndihmojmë, por dhe i pengojmë. Mendoj se ne duhet t i rikthehemi atij studimi, sepse po t i referohemi kompanisë “Makensey”, kjo është zona më e përshtatshme në Evropë, pasi rrethohet nga porti, aeroporti dhe ka një infrastrukturë të gjithanshme. Kjo përbën një potencial të jashtëzakonshëm. Është shumë i rëndësishëm dhe vendimi për ndërtimin e një zone industriale në Elbasan, por duhet të shikohet mundësia për ngritjen e tyre edhe në qytete të tjera, Berat, Korçë, Fier, Gjirokastër, për t u dëshmuar në këtë mënyrë investitorëve në të gjithë vendin mbështetjen e plotë që ata meritojnë. Të gjitha ligjet do t i rishqyrtojmë. Ne kemi shumë për të bërë. Distanca që ne duhet të përshkojmë për të qenë aty ku duhet, është e gjatë. Rruga kërkon ndërhyrje të shpejta, në mënyrë që ne të bëjmë për ju atë që meritoni”, - përfundoi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›