E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e spiunëve, Kuvendi parashikon votimin në 9 tetor

 

bledar hoti

Projektligji për hapjen e dosjeve do të miratohet në seancën parlamentare të 9 tetorit. Këtë e ka vendosur konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, në mbledhjen e zhvilluar dje paradite. Në kalendarin e punimeve që përfshin periudhën 22 shtator deri më 13 tetor konferenca ka përfshirë diskutimin e këtij projekti shumë të debatuar mes maxhorancës dhe opozitës. Seanca e pasdites së djeshme e miratoi me konsensus kalendarin e punimeve të paraqitur. Gjatë kësaj periudhe është parashikuar që komisioni parlamentar i Ligjeve të shqyrtojë dhe të miratojë draftin final “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Dy relatorët Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj nuk kanë përcaktuar ende punën e tyre, pasi mungon një draft përfundimtar për këtë projekt. Në komisionin parlamentar të ligjeve mungon një draft përfundimtar, pasi nuk është përcaktuar, se cili institucion do ta hartojë një draft të tillë.
Reforma zgjedhore pa datë
Në kalendarin e punimeve nuk është përcaktuar se kur do të votohet Kodi i ri Zgjedhor, pasi muaji shtator është afati i fundit për kryerjen e reformës zgjedhore. Pavarësisht deklaratave se afati i këtij komisioni edhe mund të shtyhet, ende nuk ka një vendim lidhur me këtë çështje. Në kalendarin e punimeve tre javore të miratuar dje nga konferenca e kryetarëve është vendosur gjithashtu, që projektligji “Për dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga tragjedia e ndodhur në Gërdec”, të diskutohet fillimisht nga komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe të miratohet në seancë plenare të enjten e 2 tetorit 2008. Po në këtë seancë është parashikuar edhe miratimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 9632, datë 30.10.2006 ‘Për sistemin e taksave vendore’”. Në punimet tre javore të parlamentit është parashikuar gjithashtu, të miratohen edhe projektligji “Për shërbimin e kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”, i cili është kontestuar ditët e fundit fort nga përfaqësuesit e opozitës në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare. Duke folur në një nga mbledhjet e qeverisë lidhur me këtë p/ligj kryeministri Berisha u shpreh se: “Rekrutimi i ushtarëve do të bëhet me pagesë dhe kjo do të bëjë të rritet profesionalizmi i ushtrisë shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›