Kryeministri kërkon rritjen e kontrollit në burgje
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Trafiqeve, që të rritet kontrolli në burgje. Ai tha se ka informacion që trafiqet kontrollohen nëpërmjet celularëve nga burgjet e vendit.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror ndaj Trafiqeve, kreu i qeverisë theksoi se krimi ekonomik është fuqia kryesore e mafies në vendin tonë. Në këtë aspekt, Berisha kërkoi që Policia të tregojë shkallë më të lartë të ekspertizës dhe sektorët antimafie të zgjerojnë kufijtë e veprimit. Sipas Berishës, një organizim i tillë i fuqishëm mes gjithë faktorëve do të ishte një anë e luftës ndaj krimit. “Regjim dhe kontroll i rreptë në mënyrë që të mos kontrollojnë klanet jashtë”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se jo më kot po e bënte këtë thirrje, pasi kishte sinjalet se “nga burgjet komandohet me celularë”.
24 Dhjetor 2009