E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita t’i bashkohet momentit historik



Qeveria i bën thirrje opozitës së majtë që t’i bashkohet momentit historik të Shqipërisë, së cilës Brukseli i hapi rrugën drejt anëtarësimit në BE. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat. Meta vuri në dukje se qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme se kjo etapë e re kërkon si kontributin, përkushtimin dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore, ashtu edhe të institucioneve të pavarura, aktorëve të tjerë politikë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në formën më gjithëpërfshirëse. "Është e drejta e opozitës të bëjë protesta, por mendoj se në një moment historik edhe opozita si qëllim kryesor të saj duhet të ketë kontributin për procesin e integrimit evropian. Ky është një proces që ka nisur prej kohësh në vendin tonë, është një proces ku kanë qenë të përfshira vazhdimisht mazhoranca dhe opozita të ndryshme që kanë respektuar edhe rotacionin në sajë të zgjedhjeve që ka bërë populli shqiptar, është një proces, i cili do të vazhdojë, që pa dyshim i fton të gjithë të bëhen më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm", - deklaroi Ilir Meta, zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Duke u ndalur tek çështja e luftës kundër korrupsionit, Meta komentoi edhe arrestimin e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë dhe anëtarit të LSI-së, Eduard Belegu. "Institucionet e zbatimit të ligjit janë të ftuara që të veprojnë ndaj cilitdo zyrtari të lartë të LSI-së, PD-së, PS-së, pushtetit vendor, të çdo partie tjetër apo pa parti. Çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri i cili ka probleme me zbatimin e detyrës së tij apo detyrimin ndaj ligjit, duhet të përgjigjet dhe e theksoj edhe një herë tjetër, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit do të kenë gjithnjë mbështetjen time më të plotë dhe të LSI-së për të goditur korrupsionin jo me fjalë, jo me retorikë, por me veprime konkrete", - u shpreh z. Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›