E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: PS, fund bojkotit, trajtim çdo kërkese ligjore



Për demokratët vendimi unanim i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e statusit të Shqipërisë është një thirrje e fortë që Partia Socialiste të rishikojë qëndrimin e saj për t’u futur në Parlament. Kreu i grupit parlamentar të PD-së garantoi sërish dje opozitën se do të trajtohet me seriozitetin maksimal çdo kërkesë ligjore e saj. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, përshëndeti dje vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, që pranoi me unanimitet kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Patozi përmendi se është rasti të kujtojmë se verdikti politik i Brukselit vjen pas një serie aktesh kulmore, që nisën me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, vijuan me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe përfunduan me anëtarësimin e shumëpritur në Aleancën e Atlantikut, të gjitha këto ngjarje të shënuara politike, që shoqëruan legjislaturën e kaluar. “Duke e konsideruar atë si një lajm të jashtëzakonshëm për çdo qytetar të këtij vendi, do të dëshironim që këtë gëzim ta ndanin edhe me opozitën, të cilës i duhet njohur merita e vet për bashkëpunimin në reformat e mëdha. Gjatë këtyre ditëve nuk kemi rreshtuar së bëri thirrje të sinqerta asaj, që t’i japë fund bojkotit të pajustifikuar dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë ndaj zgjedhësve të vet dhe vendit”, - deklaroi z. Astrit Patozi. Kreu i grupit kuvendor të PD-së gjeti sërish rastin të ftojë opozitën për t’i dhënë fund bojkotit dhe të bëhet pjesë e proceseve integruese të vendit. Patozi vuri në dukje se mbi të gjitha vendimi i KE-së për shqyrtimin e statusit të vendit kandidat është një vlerësim dhe një ricertifikim i qartë i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit, të cilat sigurisht që kanë përmbushur ato standarde që e bëjnë Shqipërinë një vend të denjë për t’u ftuar të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. “Duke e konsideruar atë si një lajm të jashtëzakonshëm për çdo qytetar të këtij vendi, do të dëshironim që këtë gëzim ta ndanim edhe me opozitën, të cilës i duhet njohur merita e vet për bashkëpunimin në reformat e mëdha”, - theksoi kryetari i grupit kuvendor të PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›