Petro Koçi: Ridimensionim i rolit të PSV-së
Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë Kombëtare të PSV-së, Petro Koçi ka kërkuar ridimensionimin e rolit politik të partisë. “PSV është e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha segmentet politike progresiste që janë në favor të ndryshimit të këtij sistemi të korruptuar të pushteteve të pakontrollueshme nga qytetarët dhe nga ligjet”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë pas kësaj mbledhjeje nga kryetari Koçi. Kryesia e partisë vendosi që ky ridimensionim politik t’i propozohet mbledhjes së afërt të KPD-së. Me fjalën ridimensionim Koçi nënkupton bashkëpunime të reja në spektrin politik, duke kërkuar ndryshimin e sistemit politik me anë të ndryshimit të Kodit Zgjedhor. "Në kushtet e një sistemi politik sulltanat, kriza politike do të vijë në rritje. Lufta mes dy monopoleve të krijuara në një sistem konsensual do të vazhdojë të dërrmojë demokracinë dhe do të thellojë varfërinë ekonomike të masave të gjera qytetare. Në këto kushte partitë dhe faktorët politikë ndryshe nga sulltanati duhet të bashkëpunojnë për ndërtimin e një alternative, e cila faktorizohet në vijimësi për të orientuar ndryshimin e sistemit nga 'demokraci' kryeministrore në demokraci parlamentare dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor, nga pushtet i pakufizuar i kryetarit në pushtet të kontrollueshëm të përfaqësuesve të popullit”, - deklaron Koçi, ish-deputet i PS-së.