E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit jashtë vendit, përfitime nga të dy vendet



Shqiptarët që kanë kryer krime në vende të tjera dhe janë dënuar në ato vende, por që vuajnë pjesën e dënimit në Shqipëri, mund të përfitojnë nga amnistitë e të dyja vendeve. Komisioni i Ligjeve vijoi dje shqyrtimin e projektligjit të njohur si projekti i ekstradimeve. Deputetët e djathtë nuk kanë miratuar ende disa nene të këtij projektligji, duke kërkuar më shumë asistencë edhe nga misionet e huaja në Tiranë, si dhe për t’u konsultuar me konventat ndërkombëtare të Këshillit të Evropës. Në veçanti u debatua në lidhje me nenin e njohjes së dënimit dhe transferimeve. Deputetët kërkuan që personat që i janë shmangur drejtësisë, të shmangen nga ky ligj. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se duhet ndarë procesi i njohjes dhe I transferimit, pasi janë dy çështje të ndryshme. Sipas deputetit tjetër të PD-së, Dashnor Sula, qytetarët shqiptarë që vuajnë dënimin në Shqipëri, duhet të përfitojnë amnistitë e vendeve që i kanë dënuar nëse ka të tilla. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, ngriti shqetësimin se një gjë e tillë mund të çojë kontingjentin kriminal jashtë vendit për të kryer akte kriminale me idenë se do të përfitojnë më shumë. Pavarësisht këtyre debateve, deputetët nuk e miratuan projektin deri në konsultimin e plotë të tij me misionet këshilluese ndërkombëtare në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›