Meta: PD më ka propozuar për kryeministër. Me PS-në do jemi në koalicion edhe nëse humbasim
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke folur në emisionin Opinion, tha se atij i është propozuar nga e djathta që të jetë kryeministër.
Mua këtë gjë ma kanë propozuar vazhdimisht, por unë kam respekt për votën e qytetarëve shqiptarë dhe nuk kam problemin tim se as çfarë do të jem, as se çfarë do të jenë kolegët e mi. Por, çdo të bëjmë ne që Shqipëria të jetë një vend më i mirë për të gjithë shqiptarët për të jetuar këtu dhe për ta gjetur të ardhmen e tyre këtu, tha Meta.
Kryetari i LSI këmbënguli se nuk ka një marrëveshje se kush do jetë kryeministër nga e majta, por shtoi se këtë e vendosin qytetarët. Meta tha se ata do jenë në koalicion me PS-në edhe nëse humbasin.
Koalicioni paraelektoral që ne kemi bërë me Partinë Socialiste do të thotë që ky është një koalicion edhe pas zgjedhor. Nuk del kurrë 70 me 70, do të dalë 80 me 60. Por, as kjo nuk është më e rëndësishme. Në respekt të demokracisë, të jeni të sigurt se në rast ndodh edhe ajo që nuk mund të ndodhë, Lëvizja Socialiste për Integrim këtë koalicion e ka afatgjatë, e ka strategjik, që do të thotë që edhe pas 23 qershorit. Edhe në rast se nuk do të fitonte ky koalicion, gjë që nuk mund të ndodhë, do të vazhdonte këtë koalicion qoftë edhe në opozitë me Partinë Socialiste, tha Meta.
Duke komentuar çështjen e ndarjes së pushteteve, Meta tha: Lidhur me çështjen e pushteteve. Mazhoranca e re do të sjellë këtë ekuilibër dhe të gjithë shqiptarët do të ndjehen mirë se do të jenë të përfaqësuar, edhe opozita. Opozita do të ketë një President që është i zgjedhuri i saj dhe do të mbrojë interesat e saj. Vendoset një bazë objektive për bashkëpunimin institucional në vend. Problemi më i madh që ka pasur Shqipëria ka qenë ajo e mosbashkëpunimit politik. Do të vendoset ky bashkëpunim midis institucioneve. Kjo do të rrisë standardet sepse do të rrisë vetvetiu standardet./ep