“Mjaft”-i: Hartimi i Kodit Zgjedhor të jetë proces gjithëpërfshirës
Lëvizja “Mjaft” ka reaguar ndaj mungesës së transparencës dhe tendencës përjashtuese që po aplikon Komisioni Parlamentare për Hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Me anë të një deklarate për shtyp, lëvizja “Mjaft” ka deklaruar se procesi i realizimit të reformës zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirës, pasi një gjë e tillë do t’i shërbente arritjes së standardeve zgjedhore dhe demokratike të vendit. “Lëvizja ‘Mjaft’ prej kohësh ka konstatuar jo pa shqetësim se mbledhjet e Komisionit Kuvendor të Reformës Zgjedhore po zhvillohen me dyer të mbyllura. Nga ana tjetër, përfaqësimi politik në këtë komision është kufizuar në forcat kryesore politike. Lëvizja ‘Mjaft’ edhe në të shkuarën ka qenë kurdoherë mbështetëse për një përfaqësim të plotë politik, për t’u dhënë mundësi të gjitha subjekteve të marrin pjesë në hartimin dhe menaxhimin e rregullores dhe infrastrukturës zgjedhore. Komisioni i reformës zgjedhore duhet të përfshijë jo thjesht dy subjektet e mëdha politike, por të funksionojë si një organizëm multipartiak. Lëvizja ‘Mjaft’ beson se diçka e tillë do të mundësonte një funksionim më të mirë të standardeve zgjedhore dhe demokratike të vendit”, - tha drejtori për Mediat në Lëvizjen “Mjaft”, Ervin Qafmolla.
Veliaj: “Berisha fyeu inteligjencën e shqiptarëve me fjalimin në Kuvend”
Lëvizja “G99” ka reaguar ndaj shmangies që i bëri kryeministri Berisha pyetjeve të përgatitura nga opozita në mocionin për çështjen “Fazlliç”. Kreu i G99-s, Erion Veliaj, tha se Berisha zgjodhi që në vend që t’u përgjigjej qytetarëve të tij në lidhje me aferat korruptive, vazhdoi fjalimet e pafundme, të cilat fyejnë inteligjencën e shqiptarëve. “Zoti Berisha, pasi u vodhi shqiptarëve 18 vjet nga jeta e tyre e çmuar edhe 18 orë të tjera me atë që ne do ta konsideronim një mbrojtje të çalë ndaj akuzave në Parlament për përfshirjen në aferat korruptive me zotin Fazlliç. I trembur nga e vërteta dhe i vendosur nën akuzë nga i gjithë publiku shqiptar, Berisha zgjodhi që në vend që t’u përgjigjej qytetarëve të tij në lidhje me aferat korruptive, vazhdoi fjalimet e pafundme si në kohën e qëmotit me ato që dëgjonim në plenume ku kriter ishte sa mund t’i lodhje anëtarët e Byrosë me fjalime disaorëshe, dhe jo thelbi i argumenteve dhe pyetjeve që populli shqiptar i ngriti të pandehurit Sali Berisha. Ajo që ndodhi dje ishte prova e qartë që kryeministri dhe njerëzit e tij nuk kanë asnjë mbrojtje për veprimet e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë që zoti Berisha nuk i përmendi as emrin personit për të cilin u organizua mocioni i debatit dhe nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, e cila u ngrit me rastin e mocionit”, - tha Veliaj.
5 Nentor 2008