E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e mjekeve, efektet e rritjes nga 1 korriku i 2008-s

18/12/2008  Instituti i Sigurimeve Shëndetësore miraton pagat e reja të personelit në spitalin e Durrësit

Përfitojnë 700 punonjës të këtij spitali, që është i vetmi në skemën e sigurimeve

Pranvera Kola

Rritje pagash për personelin që shërben në të vetmin spital që ndodhet në skemën e sigurimeve shëndetësore. Pas analizimit të të gjithë treguesve të arritur, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shëndetësore ka miratuar së fundi vendimin për rritjen e pagave të 701 punonjësve që ofrojnë shërbimet e tyre në spitalin e Durrësit. Rritja e parashikuar për këtë personel arrin deri në 15.7 për qind më shumë se sa pagat aktuale, por kjo shtesë do të jetë e diferencuar sipas pozicionit të punës. Propozimi për ndryshimin e pagave të punonjësve të këtij spitali është bërë në vazhdën e vendimeve të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që duke filluar nga viti i ardhshëm do të përfshihen në skemën e sigurimeve edhe 42 spitalet e tjera publike në të gjithë vendin në kuadër të reformës së ndërmarrë, ku ISKSH-ja do të jetë blerësi i vetëm i sigurimeve.

Pagat e reja

Ndarja e shtesave do të jetë e diferencuar sipas pozicionit të punës për të gjithë personelin shëndetësor të këtij spitali. Kështu, nga ky vendim përfitojnë rritje page në spitalin e Durrësit rreth 158 punonjës me arsim të lartë, të cilët do të përfitojnë një rritje në masën e 18.7 për qind të pagës aktuale. Ndërsa për 326 punonjësit e infermierisë rritja do të jetë në masën 16.78 për qind të pagës aktuale. Gjithashtu ky vendim lejon rritjen e pagës edhe për 217 persona të tjetër, personel joshëndetësor, të cilët do të marrin rreth 10 për qind më shumë të pagës aktuale. Përkundrejt kësaj situate është parashikuar që të mbulohet edhe financimi i studimeve për rreth 23 punonjës, kategori së cilës do t’u mbulohen pagesat e studimeve të thelluara pasuniversitare. “Në total efektet financiare mujore të rritjes së pagave shkojnë 4 256 mijë lekë, nga të cilat 3 502 mijë lekë fond pagash dhe 754 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore. Deri në fund të vitit efekti total i rritjes së pagave për personelin e spitalit Durrës është 21 141 mijë lekë, nga të cilat 17 371 mijë lekë fond pagash dhe 3 770 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore”, - pohohet nga ISKSH-ja.

Efektet

Ky efekt financiar i rritjes së pagave është i përballueshëm nga buxheti i akorduar për këtë spital gjatë vitit 2008. Vendimi i marrë nga këshilli ka fuqi vepruese të menjëhershme dhe i shtrin efektet financiare duke filluar nga 1 korriku i 2008-s. Kjo do të thotë se duke filluar nga muaji korrik personeli shëndetësor në këtë spital përveç pagave do të marrë dhe rritjet përkatëse të bëra. “Mendoj se kjo shtesë në pagë do të motivojë më tepër stafin e spitalit, ku aktualisht funksionon skema e sigurimeve shëndetësore. Kjo do të jetë një nxitje gjithashtu edhe për spitalet e tjera, që duke filluar nga 1 janari 2009 do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore, pasi pagat për mjekët do të jenë në rritje të vazhdueshme. Por nga ana tjetër ISKSH-ja së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të monitorojnë punën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana. Shtrirja e skemës së sigurimeve edhe në spitalet e tjera do të shoqërohet fillimisht me lidhjen e kontratës me drejtuesin e spitalit dhe në një fazë të dytë do të procedohet me kontrata ndërmjet drejtorit të spitalit dhe personelit mjekësor. Aplikimi i këtyre ndryshimeve nuk do të shoqërohet me shtime të pagesave që do të duhet të bëjnë pacientët për marrjen e shërbimeve shëndetësore, apo rritjes së masës së kontributeve që duhet të derdhin në skemën e sigurimeve qytetarët. Aktualisht ka nisur puna dhe për hartimin e paketës bazë të shërbimeve që do të jepet falas në të gjitha spitalet që do të kalojnë në sigurime.

Skema e rritjes për 701 punonjës

Ndarja e shtesave të reja do të jepet që nga muaji korrik i 2008-s e në vazhdim

Punonjësit me arsim të lartë përfitojnë rritje page në masën 18.7 për qind

Bëhet 57 470 lekë, ishte 48 383 lekë

Punonjësit e infermieristikës përfitojnë rritje page me rreth 16.78 për qind

Paga e re bëhet 33 652 lekë, ishte 28 870 lekë

Personeli joshëndetësor do të marrë rritje page prej rreth 10 për qind

Paga e re bëhet 25 650 lekë, ishte 23 440 lekë

Financimi i studimeve të thelluara pasuniversitare

Rreth 23 punonjës përfitojnë mbulimin e pagesës për këto studime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›