E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rritja ekonomike deri në shtator është 9,9 për qind

18/12/2008  Post-telekomunikacioni ka pësuar rritjen më të madhe me 12.8 për qind

Rritja vjetore ekonomike në vend ka rezultuar 9,9 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Ky është përfundimi i specialistëve të Institutit të Statistikave. Në një konferencë për shtyp ky institucion ka detajuar dje të dhënat e përftuara nga analiza e treguesve. Ky është një produkt i ri i INSTAT-it “Prodhimi i Brendshëm Bruto, tremujor”. Sipas drejtoreshës Ines Nurja, post-telekomunikacioni ka pësuar rritjen më të madhe këtë tremujor me 12.8 për qind. “Këto të dhëna do t’i shërbejnë më së miri përdoruesve të kualifikuar si Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo organeve të tjera vendimmarrëse dhe njëkohësisht do të bëhen objekt i diskutimeve mbi tendencat ekonomike të vendit tonë edhe në qarqet akademike, studentore e më gjerë”, - deklaroi Nurja. Këta janë dy sektorë që kanë kontribuar më shumë në rritjen e PBB-së tremujore. Sa i përket aktivitetit bujqësor, ai është rritur me 0.1 për qind në tremujorin e tretë të 2008-s. Ndërsa krahasuar me të njëjtin tremujor të 2007-s kjo shifër është rritur 2.6 për qind. Ndërkaq, në grupin e industrive është shënuar një rënie me 6.4 për qind në tremujorin e tretë të 2008-s, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti. Por krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2007, aktiviteti i këtij grupi u rrit me 2.2 për qind. Sipas INSTAT-it, duhet theksuar fakti që në këtë seri të industrisë nuk është paraqitur efekti i çmimit të blerjes së energjisë elektrike, i cili do të jetë objekt i revizionimeve të mëvonshme. Sa i përket tregtisë rritja ka qenë 1.3 për qind, duke shënuar edhe kjo degë një rritje të qëndrueshme për disa tremujorë me radhë. Dega e shërbimeve nga ana tjetër u rrit me 2.7 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›