E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Diplomatët, leksion demokracie Berishës

Partia më e madhe e opozitës i cilëson deklarimet e fundit të ndërkombëtarëve si një tjetër leksion demokracie që i jepet Kryeministrit Sali Berisha. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, vlerësoi se diplomacia e huaj po i thekson sërish liderit të mazhorancës nevojën e ndërtimit të shtetit ligjor. Duke iu referuar ligjit për "pastërtinë e figurave", Dade tha se Berisha dhe mazhoranca po vazhdon ta përdorë këtë ligj si kamerdare për të shpëtuar nga problematikat ku ai është i përfshirë. Për të ilustruar këtë, Dade kujtoi rastin e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. "Gjithashtu korrupsioni galopant i rrugës Durrës-Kukës, ku vetë zoti Berisha duket i përfshirë, pasi nuk ka justifikim tjetër mbrojtja që po i bën zotit Basha", konstatoi Dade. Sekretarja e socialistëve insistoi edhe në qëndrimin e opozitës për të bojkotuar çdo lloj nisme parlamentare pa u votuar në Kuvend ligji i ri zgjedhor me korrigjimin e dekretit të Presidentit. Selia rozë më parë e cilësoi qëndrimin e Kryeministrit për Kodin Zgjedhor si tërësisht të pamoralshëm. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, deklaroi se është bllokuar puna e komisionit për Kodin me urdhër të Kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë. PS-ja pretendon se në vend që Komisioni i Kodit Zgjedhor të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që tashmë e ka gjetur, bllokon në mënyrë të njëanshme komisionin, duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. "Ky është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër dhe që qëndron në krye të çdo reforme në vend. Nëse është i interesuar për reforma, Kryeministri të zhbllokojë komisionin, të mos bëjë diversion e dyfytyrësi", deklarojnë socialistët. Opozitarët kujtojnë sakaq se me mosmiratimin e këtij Kodi brenda muajit dhjetor, zgjedhjet e lira rrezikohen seriozisht. Një ndër rreziqet ka të bëjë me procesin e listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të Kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimit të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre. Pra, në rastin më të mirë, listat paraprake me këtë skenar do të jenë gati në fund të muajit mars, pra vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Kjo do ta ngushtojë kohën e rishikimit të listave nga zgjedhësit, pasi Kodi e kufizon këtë të drejtë deri në 60 ditë para zgjedhjeve, pra deri më datë 26 mars 2009. Me këtë rrezikohet një nga proceset më delikate, njëkohësisht më të domosdoshme që ka qenë pjesë e problematikës me zgjedhjet në vend. Tjetër problematikë është rreziku për formimin e KQZ-së në afate limite dhe të papërshtatshme. KQZ-ja, në rastin më të mirë, do të ngrihet në fund të shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë ligji e ngarkon KQZ-në me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ-ja aktuale nuk mund t‘i kryejë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›