Topi e Berisha, drejt paqes institucionale
Është dashur ceremonia e marrjes së shtetësisë shqiptare të Majkëll Granofit për të mundësuar përmirësimin e marrëdhënieve mes Presidentit dhe Kryeministrit. Berisha dhe Topi shtrënguan duart miqësisht, shkëmbyen buzëqeshje dhe trokitën gotat duke sheshuar në këtë mënyrë acarimin disamujor të marrëdhënieve dypalëshe.
Pak ditë para kalimit në Kuvend të dekreteve të dyta të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, dy shtetarët, Bamir Topi dhe Sali Berisha, sinjalizojnë paqen e përbashkët. Është dashur ceremonia e marrjes së shtetësisë shqiptare të
Majkëll Granofit për të mundësuar përmirësimin e marrëdhënieve mes Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në kulmin e konfliktit mes dy institucioneve që ata drejtojnë, për shkak të dekreteve të Gjykatës së Lartë, z.Topi ftoi dje paradite në selinë e tij kreun e qeverisë. Berisha dhe Topi shtrënguan duart miqësisht, shkëmbyen buzëqeshje dhe trokitën gotat duke sheshuar në këtë mënyrë acarimin disamujor të marrëdhënieve dypalëshe. Majkëll Granof, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, që ndodhet për një vizitë në Tiranë, mori shtetësinë shqiptare me dekret të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë një ceremonie solemne të organizuar me këtë rast në Presidencë. Pikërisht në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, ministri i Punëve të Jashtme, z.Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues dhe anëtarë të tjerë të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes etj. Në një kohë kur Kryetarja e Kuvendit bojkotoi disa nga ftesat e fundit të kreut të shtetit, Kryeministri Berisha bëri të kundërtën dhe jo duke qenë vetëm pjesëmarrës, por duke u shfaqur para mediave me Presidentin si dy miq të vjetër në politikën e djathtë. Prej disa muajsh marrëdhëniet mes tyre ishin në një fazë konfliktuale që u shoqërua me kthimin e disa ligjeve të qeverisë nga ana e kryetarit të shtetit. Më pas vijoi me refuzimin në Kuvend nga ana e mazhorancës të dekreteve të kryetarit të shtetit. Ky refuzim i ndërsjellë mes dy shtetarëve, njohu vijimësinë e akuzave dhe kundërakuzave publike gjë që nxori në pah një krizë të thellë ndërinstitucionale, në të cilën u përfshi edhe Parlamenti. Në këtë mënyrë tre institucionet kryesore në vend, për javë të tëra, sulmuan herë në mënyrë direkte dhe herë në mënyrë indirekte palën tjetër duke thelluar edhe më tej konfliktin tredimensional. Por pak para se dekretet e dyta të kryetarit të shtetit, për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë të kalojnë për votim, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të përmirësojë klimën konfliktuale me Presidentin duke pranuar dje ftesën e tij në selinë presidenciale. Nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë grupi i mazhorancës në momentin e votimit të dekreteve, por pritet që takimi i djeshëm sa institucional, aq dhe miqësor, të ketë një ndikim pozitiv në raportet e ardhshme mes Presidentit dhe Kryeministri të vendit duke rikthyer kështu frymën bashkëpunuese mes dy drejtuesve të shtetit shqiptar.