Zbulohen personat që alarmuan policinë dhe aeroportin e Rinasit
Një ditë pas alarmit fals se në aeroportin më të madh në vend ishte vendosur bombë, reagon policia e kryeqytetit, duke konfirmuar faktin që nuk bëhej fjalë për një vendosje bombe, por për një alarm fals. Madje, policia saktësoi edhe faktin se janë identifikuar personat që kanë bërë telefonatën, duke shtuar se nuk kemi të bëjmë me tendenca terroriste dhe se kishim të bënim me “Brigadat e Kuqe”, ishte një trillim. Alarmi për bombë dyshohet të jetë njoftuar nga një “maniak” telefonatash të tilla. Sipas burimeve nga policia, shakaja është kryer nga një adoleshent, i cili dyshohet të ketë kryer telefonata të tilla edhe më parë për bomba në kryeqytet. Policia kryeqytetase ka arritur të identifikojë autorin, i cili dyshohet të jetë 20 vjeç, ndërsa janë vënë në ndjekje për kapjen e këtij të fundit. Sipas burimeve, shakaja e adoleshentit është bërë në bashkëpunim edhe me disa shokë të tij. Për këtë ngjarje janë shoqëruar 4 persona, si dhe janë marrë në pyetje disa të tjerë. Reagimi zyrtar i policisë është bërë paraditen e djeshme nëpërmjet një konference për shtyp, me anë të së cilës Policia e Tiranës njoftoi se kishte identifikuar autorët që mendohet se bënë telefonatën anonime për bombë në Aeroportin "Nënë Tereza" Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, grupi hetimor po punon për dokumentimin ligjor të autorësisë së të dyshuarve si përgjegjës për këtë ngjarjeje, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit. Nga të dhënat hetimore rezulton se nuk bëhet fjalë për persona me tendenca terroriste. Ndërkohë që policia ka arritur të zbulojë se telefonata është bërë nga një kabinë telefonike pranë Liceut Artistik në Tiranë. Sipas deklaratës për shtyp, mësohet se policia ka dijeni rreth autorëve të mundshëm të telefonatës së panikut për Rinasin. “Për arsye hetimore, emrat e tyre nuk mund të bëhen publikë”, - thanë burime zyrtare nga policia. Sipas njoftimit të djeshëm për shtyp nga ana e Policisë së Shtetit, strukturat e specializuara të krimit të Policisë në Krimet e Rënda kanë arritur të identifikojnë dhe të hedhin dyshime konkrete për autorët e telefonatës së rreme. “Nga këto struktura po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.
Telefonata
Dy ditë më parë, rreth orës 13:28 minuta, shërbimi i Aeroportit Kombëtar “Nënë Tereza” është njoftuar përmes një telefonate anonime, mbi vendosjen e një lëndë eksplozive në ambientet e terminalit. Në sajë të masave të shpejta të marra, u realizuan kontrolle të imtësishme në sajë të të cilave rezultoi se alarmi i mbërritur përmes një telefonate anonime ishte falsë. Po dy ditë më parë është lokalizuar zona e telefonatës, e cila është kryer në “Rrugën e Elbasanit” afër Liceut (Shkolla Artistike), ndërsa janë shoqëruar katër persona, të cilët dhe janë marrë në pyetje si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Sipas policisë, nuk bëhet fjalë për grupe terroriste me emra konkretë, duke bërë thirrje për mediat se “publikimi i të tilla informacioneve hap panik në komunitet dhe mbarë opinionin pas publikimit në media elektronike e të shkruar mbi ekzistencën e “Brigadës së Kuqe”. Nuk ekzistojnë grupe personash apo individë me tendenca terroriste”. Po sipas policisë, telefonatat anonime dhe false janë kthyer në një fenomen të njohur dhe shqetësues për Policinë e Tiranës. Vetëm 2 muaj më parë, strukturat kapën një telefonues minoren që kryente herë pas here telefonata në organet e rendit, ku lajmëronte për bomba në institucione të ndryshme. Sipas policisë, vetëm 2 muaj më parë strukturat e saj arritën të identifikojnë 17-vjeçarin Elton Buçi, i cili alarmoi për bombë në Ambasadën Amerikane, ndërsa u dënua nga gjykata me 90 mijë lekë gjobë për shakanë e tij.
Detaj
2 muaj më parë strukturat e policisë arritën të identifikojnë 17-vjeçarin Elton Buçi, i cili alarmoi për bombë në Ambasadën Amerikane