E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron nënstacionin e Golemit



Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e nënstacionit elektrik me fuqi 31.5 megavat në komunën e Golemit, një nënstacion i domosdoshëm që i përgjigjet kërkesës gjithnjë e në rritje për energji në këtë zonë me një zhvillim të shpejtë turistik.

Sipas Kryeministrit, ky investim prej 2 milionë eurosh është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë. “Të gjitha qeveritë i kishin premtuar kësaj zone furnizim me energji dhe ujë”, - vuri në dukje z. Berisha. Nënstacioni plotëson dhe tejkalon kërkesat e kësaj zone, e cila vitet e fundit ka pësuar ndryshime të mëdha, gjë e cila evidentohet me rritjen e numrit të pushuesve nga të gjitha zonat e Shqipërisë dhe nga Kosova. Duke vizituar këtë nënstacion, kreu i qeverisë përmendi dhe përurimet e tjera të kryera në këtë zonë turistike të vendit, duke theksuar se “pushuesit që kanë qenë vitin e kaluar në këtë zonë i vënë re më mirë se kushdo ndryshimet që kanë ndodhur këtu”. Të gjitha punimet në nënstacionin elektrik të Golemit përfunduan në një kohë rekord, brenda 2 muajsh, dhe janë realizuar brenda të gjitha standardeve dhe parametrave teknikë dhe bashkëkohore. Investimi u financua nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe u realizua nga drejtoria e Tensionit të Lartë në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›