Meta: “Partia Socialiste po bllokon reformën zgjedhore”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi dje se opozita nuk po angazhohet për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare reformës zgjedhore. Meta e quan mosangazhimin e PS-së si një politikë bllokuese dhe destruktive.
“Vetë fakti që PS-ja nuk angazhohet për reformën zgjedhore, e cila, sipas partnerëve ndërkombëtarë, do t’u japë një zgjidhje përfundimtare shqetësimeve lidhur me transparencën, tregon që synon një politikë bllokuese bojkotuese dhe destruktive”, - tha Meta. Sipas Metës, nga mungesa e angazhimit dhe kontributit të PS-së si dhe për reformën zgjedhore, dëmtohen proceset integruese dhe funksionimi i institucioneve. Ndërsa deklaroi se "unë shpresoj se ata do të reflektojnë”.
Topalli takon Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me ftesë të homologut të saj në Azerbajxhan, Oktay Asadov, u prit dje nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në pallatin presidencial “Zugulba”. Duke i uruar mirëseardhjen, u shpreh se e konsideronte vizitën e zonjës Topalli në Baku, e para e një personaliteti të lartë nga Shqipëria, si hap konkret dhe shprehje të rëndësishme të vullnetit politik të të dyja vendeve për të vendosur lidhje miqësie e raporte konkrete bashkëpunimi ekonomik me interes reciprok. Presidenti Aliyev dhe kryetarja Jozefina Topalli ndanë mendimin se shkëmbimi i vizitave të nivelit më të lartë, vendosja e kontakteve mes ministrive të interesuara dhe inkurajimi i biznesit përmes dhomave të tregtisë, mbajtja e forumeve e hapja e ekspozitave do të nxisin bashkëpunim të frytshëm në fusha si energji, infrastrukturë, turizëm, bujqësi, kulturë etj. Kryetarja tha se hartimi i një kornize ligjore adekuate do të përshpejtojë bashkëpunimin. Ajo shprehu angazhimin se do të mbështesë çdo nismë ligjore në këtë drejtim.
Kryetarja e Kuvendit e shfrytëzoi këtë takim për të lobuar për çështjen e Kosovës. Ajo theksoi se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin e rajon. “Vendet që kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës janë 69. Së shpejti, pasi Gjykata Ndërkombëtare të shprehet, pritet që numri i tyre të rritet, sikurse janë angazhuar”, - tha Topalli. Presidenti Aliev u shpreh se kishte respekt të madh për popullin e Kosovës dhe e siguroi kryetaren e Kuvendit se do t’i kërkonte kryeministrit të vet të gjente mënyrat për të mbështetur një popull mik dhe për t’i dëshmuar atij solidaritet të plotë.
1 Korrik 2010