E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Bregdeti i Jugut është i rrezikuar nga mafia”



Mafia ruse dhe kalabreze është një rrezik i madh për vendin tonë, ndërkohë që ajo ruse ka qenë shumë kohë më parë. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se gjatë kohës që ai ka drejtuar Shërbimin ka pasur sinjale të qarta që tregonin interesin e madh të rusëve, por edhe të organizatave kalabreze për të investuar. "Mafia është një term shumë i përgjithshëm, por që rusët të paktën kanë tentuar dhe më parë dhe pastaj kanë blerë shumë prona në të gjithë rajonin, qoftë në Mal të Zi dhe në Greqi. Kjo tregon se ata po tentojnë në këtë rajon dhe nuk është çudi që po tentojnë dhe në Shqipëri. Po në Shqipëri do ta quaja që mbase e kanë dhe më kollaj. Sigurisht, sinjale ka pasur, por, duke studiuar rajonin, bëhet shumë e qartë tentativa e mafies ruse për t’u futur në këtë rajon". Klosi e sheh të besueshëm raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili e vë theksin pikërisht te shtimi i organizatave mafioze që zgjedhin të pastrojnë paratë e tyre në Shqipëri. Bregdeti i Jugut mbetet më i sulmuari në këtë drejtim, pavarësisht problemeve të mëdha me mbivendosjen e pronave. Ish-kreu i SHISH-it thotë se Ballkani në tërësi është kthyer në rajonin më të favorshëm për shumë nga organizatat e mëdha mafioze. “Kanë tentuar dhe tentojnë në fushën e turizmit, në hoteleri, në bërjen e fshatrave turistike, sportive etj. Kështu që në këto fusha investimi është më i suksesshëm, meqenëse e kthen veten më shpejt, prandaj dhe tentojnë në këto fusha", - vijon Klosi. Detajet e raportit alarmues të Shërbimit Informativ iu bënë të ditura Komisionit të Sigurisë Kombëtare pak ditë më parë, në një mbledhje me dyer të mbyllura. Anëtarëve të Komisionit iu kërkua të ruhej sekreti i raportit, por ai u publikua nga deputeti Erion Braçe në mbledhjen e bordit ekonomik të Partisë Socialiste.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›