Zbardhja e masakrës së Tivarit, PD-ja ngre komision hetimor
Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zbardhjen e masakrës së Tivarit të vitit 1945, duke ngritur një komision hetimor. Për ngritjen e komisionit hetimor, Partisë Demokratike i është dashur të mbledhë firmat e deputetëve. Kërkesa e kreut të qeverisë, Sali Berisha për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor pritet të paraqitet sot në Kuvend. Sipas nismëtarëve, komisioni do të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, prej të cilëve 7 do t’i përkasin maxhorancës dhe 6 opozitës, ndërsa kryetari do të jetë nga PD-ja. Mandati i këtij komisioni do të jetë një vit, çka do t’u japë kohë të plotë deputetëve për të hetuar të gjitha dokumentet arkivore ku synohet zbardhja e plotë e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive që çuan në masakrën e Tivarit. Një tjetër pikë e objektit hetimor do të jetë edhe qëndrimi ndaj kësaj masakre të pashembullt i shtetit shqiptar gjatë viteve 1945-1990, si dhe përpjekjet e qëllimshme për të fshehur të vërtetën rreth saj. Kryeministri Berisha akuzoi pak kohë më parë ish-presidentin Ramiz Alia se ka pasur dijeni, por dhe ka dhënë miratimin për masakrën e Tivarit ku u vranë dhe ekzekutuan mijëra të rinj kosovarë.
1 Korrik 2010