E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve: Debat për dekretet presidenciale për Gjykatën e Lartë



Çështja për dekretet presidenciale për Gjykatën e Lartë është shoqëruar me debat në Komisionin e Ligjeve. Në seancën dëgjimore, e cila u shoqërua me shumë përplasje nga të dyja kampet, shqyrtimi i figurës së kandidatit për në Gjykatën e Lartë ka nisur me gjyqtarin Medi Bici. Vexhi Muçmata dhe Sokol Çomo janë dy kandidaturat e tjera, të cilat do të shqyrtohen në seancën e radhës. Seancat janë shtyrë disa herë, ndërsa sipas Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi kandidaturave duhet të bëhej brenda 3 javëve, gjë që nuk ka ndodhur.
Debati
Kandidati Medi Bici u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve. "A ju vjen keq që unë e denoncoj këtë proces si një proces të montuar politikisht, i cili do të përfundojë me votim të hapur në seancë plenare, duke iu përgjigjur kamxhikut politik që ka ndërtuar maxhoranca? A ju vjen keq që unë mendoj se pyetjet, të cilave ju i jeni përgjigjur janë skandaloze?" - iu drejtua kandidatit Bici deputeti socialist Sajmir Tahiri. "Nuk e lë zotin Bici, sepse ju mos shpërdoroni detyrën e kryetarit dhe s'keni asnjë të drejtë të thoni për kolegun tuaj ju vjen keq apo jo", - u shpreh Bashkim Fino. Ndërsa gjyqtari Bici u shpreh: "Unë kam qenë edhe një herë kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë para dy vjetësh dhe megjithëse kisha një veprimtari 17 vjet në Gjyqësor, kam kaluar në votim anonim. Dhe për mua më bëhet mirë që të vij të deklaroj të paktën që këto rezultate kanë dhjetë vjet që nuk deklarohen". Kandidati për në Gjykatën e Lartë nuk e ka fshehur mendimin për 2 standarde që ky institucion përdor për çështje të ndryshme. Po ashtu ai u ka bërë të qartë deputetëve se nuk ka mbështetje politike dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, si një pjesë e gjykatësve të tjerë. "Nuk kam asnjë lloj mbështetjeje politike. Nuk kam qenë asnjëherë, as para '90-s dhe as pas '90-s, anëtar i ndonjë partie politike apo organizate politike. Para '90-s kam vuajtur nga këto vendime, kështu që mendimi im është që në këtë stad që jemi, kërkojmë të hyjmë në Europë nuk duhet të ketë gjyqtarë të tillë në sistemin e drejtësisë", - vijoi Bici.
Pas seancës dëgjimore me kandidatin Medi Bici, radha në komision do jetë për dy kandidaturat e tjera, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata.
Shqyrtimi
Në datën 22 qershor skadoi afati ligjor për shqyrtimin e kandidaturave të presidentit Topi për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që Kuvendi ende nuk kishte përfunduar procedurën për shqyrtimin e tyre. Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Dhoma e Avokatisë, Avokati i Popullit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kanë dorëzuan me vonesë në sekretarinë e Komisionit të Ligjeve dokumentacionin përkatës. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, deklaroi se shkak për shtyrjen e shqyrtimit të kandidaturave është bërë mungesa e informacioneve nga institucionet, të cilat do të hetonin pastërtinë e figurave të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, si dhe mungesën e disa deputetëve të djathtë në komision.

Kodheli: “Drafti ‘Për inspektimin financiar’ është antikushtetues”

Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, projektligjin “Për inspektimin financiar” e ka cilësuar antikushtetues. Sipas saj, ky draft cenon rëndë pavarësinë e një sërë institucionesh kushtetuese dhe dhunon pushtetet e pavarura, siç janë Drejtësia dhe pushteti vendor.
“Për këtë arsye, deputetët socialistë në Komisionin e Ekonomisë kërkuan, në mbështetje të Rregullores, opinionin e Komisionit të Ligjeve lidhur me kushtetutshmërinë e këtij projektligji”, - u shpreh Kodheli, duke shtuar se shqyrtimi i kushtetutshmërisë së këtij projektligji nga ana e Komisionit të Ligjeve nuk është bërë. “Ne e konsiderojmë se antikushtetutshmëria e këtij ligji është një element i mjaftueshëm për të votuar kundër tij, në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të pushtetit vendor si dhe institucioneve të rëndësishme kushtetuese si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit apo dhe shoqërisë civile”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, ky është një ligj tërësisht politik e antikushtetues që ka tejkaluar direktivën e BE-së në këto dy parametra dhe që nuk do të shtojë asgjë të re dhe asnjë rezultat të dobishëm në luftën e kërkuar kundër korrupsionit, të cilën Berisha e ka humbur prej kohësh në Gërdec dhe Kalimash. Inspektorati i Inspektimit Financiar është struktura e Ministrisë së Financave që heton çdo përdorues të fondeve publike, përfshirë dhe qeverinë, pushtetin vendor dhe çdo agjenci tjetër qeveritare. Ai do të vihet në lëvizje në çdo rast kur dyshohet për keqmenaxhim, mashtrim ose korrupsion me këto fonde.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›