E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS-së: Qeveria, indiferente ndaj hetimit të zgjedhjeve, në shtator nisin protestat



Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për ato ligje që kërkojnë shumicë cilësore. Me anë të këtij vendimi PS-ja i përgjigjet qëndrimit këmbëngulës të maxhorancës për të mos lejuar transparencën e zgjedhjeve. Është mbushur plot një vit që nga zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 dhe transparenca e tyre me kërkesë të opozitës nuk është realizuar, edhe pse kanë ndërhyrë krerët më të lartë europianë për t’u dhënë ndihmë dhe sugjerime dy palëve politike. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, pas mbledhjes së Grupit socialist, bëri publike vendimet e dala prej saj. Ai bëri me dije se Partia Socialiste pritet t’i rikthehet rrugës së protestave në muajin shtator dhe nuk do të marrë pjesë në votimin e asnjë ligji në Parlament që kërkon shumicë cilësore.
Vendimi
Kryetari i Grupit socialist deklaroi se duke filluar që nga dita e sotme, Partia Socialiste do të përshkallëzojë marrëdhënien me Parlamentin shqiptar. Ruçi tha se Grupi Parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin. Ruçi informoi se Grupi Parlamentar socialist, në sesionin e ardhshëm parlamentar, që fillon në shtator, do të bëjë publik hapat e mëtejshëm lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar.
Draftet antikushtetuese
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar u diskutua edhe mbi projektligjin e fundit të qeverisë “Për financat publike” dhe për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ligji për financat publike, tha Ruçi, çon në një paralizim financiar, nën tutelën e qeverisë, KLD-në, SHISH-in, OJQ-të, veçanërisht pushtetin vendor, e pse jo, deri tek institucioni i Presidentit. Ndërsa drafti për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, i miratuar pa konsensusin e opozitës, sipas kësaj të fundit, synon kontrollin politik të deputetëve dhe ndikimin në përzgjedhjen e kandidaturave për në gjykatat e rëndësishme. Projektvendimi i maxhorancës ka paraqitur dy amendamente, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë e Kuvendit në një prej funksioneve më të rëndësishme të tij, atë të marrëdhënies së Kuvendit me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërmjet të tjerave edhe me dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ndryshimi i parë ka parashikuar që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. “Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - është shkruar në relacionin që i bashkëlidhet projekt-propozimit të PD-së. “Amendamenti i dytë ka si synim të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar, ku koha në dispozicion e Komisionit për Çështjet Ligjore të jetë më e gjerë për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore”, - thuhet në relacion.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›