E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: “Konkluzionet e Freedom House nuk janë të denja për një vend të NATO-s”



Partia Socialiste ka reaguar pas raportit të fundit të organizatës “Freedom House”, e cila parashtron një sërë problemesh mbi situatën e demokracisë në Shqipëri. Nënkryetarja e Grupit të deputetëve në Partinë Socialiste, Vasilika Hysi, shprehu shqetësimin në lidhje me konstatimet e raportit, sipas të cilit Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres dhe nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë. Hysi u shpreh se konkluzionet e arritura nga Freedom House janë të denja për një republikë ish-sovjetike të Azisë Qendrore, por jo për një vend anëtar të NATO-s e që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. “Elementi i parë që të bie në sy nga ky raport është se Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të vetme. Përkundrazi, në një sërë fushash janë shënuar përkeqësime serioze të situatës së demokracisë dhe shtetit ligjor si pasojë e veprimeve të qëllimshme nga ana e qeverisë”, - theksoi Hysi. Duke folur për situatën e medias në Shqipëri, Hysi nënvizoi se është i papranueshëm presioni mbi gazetarinë investigative dhe presioni i politikës mbi organizmat mbikëqyrëse të medias. Duke iu referuar raportit të Freedom House, Hysi nënvizon se konstatimet në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit flasin për mospërmbushjen e standardeve ndërkombëtare. “Raporti vëren se zgjedhjet nuk i përmbushën standardet ndërkombëtare dhe liston një sërë problemesh me periudhën parazgjedhore, si për shembull 275 000 shqiptarët që nuk mundën të votonin për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit, pjesëmarrjen masive të punonjësve të administratës civile në aktivitete elektorale të pushtetit, presionet e ushtruara nga qeveria mbi administratën për të marrë pjesë në mitingjet e maxhorancës, apo për të mos marrë pjesë në aktivitetet e opozitës, votimin familjar, si dhe vëren se u shkel e drejta e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qarqe”, - theksoi deputetja socialiste. Hysi përmendi edhe problemet në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit në Shqipëri duke theksuar shqetësimin e Freedom Hause mbi frikësimin nga ana e politikës të gjykatësve dhe prokurorëve që gjykojnë dhe hetojnë çështje sensitive.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›