E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “PS-ja nuk do të kursejë konsensusin për reformat”

Kreu i selisë rozë deklaron vendosmërinë e PS-së për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Rama: “PS-ja do të jetë lidere në realizimin e reformave”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se Partia Socialiste nuk do të kursehet që të ofrojë konsensusin dhe bashkëpunimin e duhur për të realizuar reformat e kërkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Rama, i cili ka qenë i pranishëm në takimin e organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa”, me temë “Anëtarësimi në NATO, sfida dhe mundësi”, tha se pas marrjes së ftesës së anëtarësisë së Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit, tashmë janë shtuar përgjegjësitë për klasën politike shqiptare, e cila duhet të angazhohet plotësisht për të realizuar reformat e kërkuara.
Takimi
Takimi i djeshëm është organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa”. Tema e këtij takimi ishte “Anëtarësimi në NATO”, sfida dhe mundësi”. Në të merrnin pjesë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, drejtues dhe deputetë të Partisë Socialiste, përfaqësues të shoqërisë civile, të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, analistë të shtypit dhe profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Drejtori Ekzekutiv i fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, theksoi se “ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO pritet të ndikojë edhe në procesin e anëtarësimit në BE, duke fokusuar përpjekjet integruese drejt reformave të qenësishme të vendit për t’i dhënë një ritëm të ri këtij procesi”.
Rama
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste është e vendosur për të çuar deri në fund realizimin e reformave të kërkuara që do të mundësojnë anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në NATO. “Dua të theksoj vendosmërinë tonë për të shkuar përpara në funksion të këtyre sfidave që politika nuk mund t’i shmangë e që ne në asnjë mënyrë nuk duhet t’i shtyjmë për një të ardhme të papërcaktuar, pasi ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë një shprehje kuptimplotë e solidaritetit të të gjitha vendeve anëtare me Shqipërinë e shqiptarët. Njëkohësisht një barrë përgjegjësie shumë e qartë e përcaktuar për klasën politike dhe për të gjithë ne”, - deklaroi kreu i selisë rozë.
Roli i PS-së
Rama theksoi se Partia Socialiste do të luajë një rol të rëndësishëm në realizimin e reformave. Kreu i selisë rozë tha se Partia Socialiste nuk do të hezitojë të ofrojë konsensusin e saj për të bashkëpunuar në këtë drejtim. “Ne do të vazhdojmë të luajmë një rol përcaktues dhe të patjetërsueshëm për të gjitha ato reforma që i duhen vendit për të ngritur një shtet funksional dhe për të patur një demokraci funksionale. Këto janë reforma që kërkojnë konsensuse të gjera, për të cilat ne jemi të gatshëm pa asnjë kompleks dhe pa asnjë tundim, sepse politika e vjetër e së shkuarës ka bërë që kjo ftesë të vonojë 16 vjet, ndërkohë që Shqipëria hapin e parë e bëri në vitin 1992. E vonoi 16 vjet, një çështje, për të cilën populli shqiptar nuk ka asnjë dilemë, për të cilën socialistë e demokratë e qytetarë pa parti kanë 16 vjet që janë në një mendje; që Shqipëria duhet të jetë pjesë e kësaj Aleance të madhe”, - u shpreh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se tashmë ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë një sistem zgjedhor, që nuk do të lejojë deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Ai shtoi gjithashtu se tashmë ka ardhur koha që në vend të ketë një sistem drejtësie, që nuk do të jetë peng i ndikimeve politike.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›