E Diel, 1 Nëntor 2026

Falimentimi i biznesit, varfëria mbyll në Korçë 300 subjekte



Varfëria e njerëzve dhe malli i dhënë veresie është bërë shkak për falimentimin e një numri të madh subjektesh të biznesit të vogël në Korçë. Plot 300 bizneseve të vogla janë mbyllur gjatë vitit 2008 për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe pamundësisë për të mbledhur paratë e mallrave të dhëna me listë. Pothuajse në të gjitha lagjet e qytetit ka dyqane ushqimore, të cilat nuk kanë mundur të rezistojnë më në treg. Qytetarë të shumtë në Korçë, nga mungesa e punës dhe të ardhurave, vazhdojnë të marrin produktet ushqimore duke shënuar emrat në lista të gjata. Krahas këtij fenomeni në rritje, tregtarët janë përballur edhe me rënien e fuqisë blerëse, çka ka bërë që shumë dyqane ushqimore brenda një viti të falimentojnë, duke kërkuar pranë autoriteteve çregjistrimin e tyre. Që nga buka, vezët, vaji dhe deri te fruta-perimet, janë artikujt që merren veresie nga klientët e dyqaneve të qytetit. Tregtarët e pakicës në dyqanet ushqimore thonë se klientët u kanë borxhe të shumta, ndërsa aktiviteti i tyre i përditshëm rrezikohet nga rënia drastike e shitjeve dhe humbja e fitimit. Shifra e bizneseve që kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit konfirmohet nga Drejtoria e të Ardhurave në Bashkinë e Korçës. Drejtori Petrika Tollkuçi tregon se shkaqet lidhen më shumë me krizën ekonomike dhe faktin se dyqanet pranojnë të japin ushqime veresie derisa më në fund detyrohen të deklarojnë mbylljen. Sipas tij, të gjitha bizneset e vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen, kanë bërë derdhjen e detyrimeve ndaj Tatim-Taksave. Nga 400 biznese të regjistruara vitin e kaluar, vetëm 100 ushtrojnë tashmë aktivitet në qytetin e Korçës.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›