E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Përjashtim nga tatim-fitimi dhe subvencionim

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, premtoi dje se qeverisja e re do të përjashtojë nga tatim-fitimi deri në vitin 2010 bizneset fason, si dhe do të subvencionohen në masën 50% sigurimet shoqërore deri në vitin 2011."Ne shprehim angazhimin tonë për t‘i mbështetur me politika konkrete, lehtësuese dhe favorizuese të gjitha këto biznese në vendin tonë, së pari duke i përjashtuar nga tatim-fitimi deri në fund të vitit 2010, dhe së dyti duke subvencionuar sigurimet shoqërore me 50% deri në fund të vitit 2011", u shpreh Meta. Ish-kryeministri theksoi se këto dy masa, pa asnjë diskutim do të kontribuojnë që këto aktivitete jo vetëm të mos bllokohen, sikurse ka ndodhur deri tani, ku prej disa ditësh rreth 50 ndërmarrje të tilla kanë falimentuar, gjë që ka sjellë si pasojë largimin nga puna të rreth 11 mijë punonjësve shqiptarë.

Me këtë rast, Meta shprehu shqetësimin e tij dhe të forcës politike që ai drejton, për mungesën e politikave lehtësuese nga ana e qeverisë për të ndihmuar këtë industri tepër të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë. Ne jemi këtu, shtoi ai, për të shprehur angazhimin tonë shumë të qartë programor dhe qeverisës për të mbështetur në këtë kohë krize tepër kritike për tregjet evropiane ku këto prodhime shkojnë dhe janë të garantuara për t‘u shitur, pasi tani dimë që po bie kërkesa për këtë lloj prodhimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›