E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të përsërisim fitoren e vitit 1992

Të përsërisim në 28 qershor fitoren e vitit 1992. Kështu u është drejtuar banorëve të Fushë-Krujës kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke u premtuar se në mandatin e ardhshëm shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt Evropës. "Më 28 qershor të shënojmë edhe një herë, të përsërisim fitoren më të fortë, t‘i rikthehemi vitit ‘92, sepse në këtë vit të gjithë së bashku brohorisnim Shqipëria në NATO, realizuam ëndrrën tonë. Të përsërisim prapë ‘92-shin për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, për të lëvizur të lirë në mbarë Evropën", tha Berisha. Më lejoni të shtrojmë së bashku pyetjen, vijoi ai, a mund të pranohet si alternativë mohimi, a mund të pranohet si alternativë denigrimi i Skënderbeut, a mund të pranohet si alternativë mitingu për të protestuar për NATO-n. "A mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos rritur pagat e pensionet, a mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos aplikuar për statusin e kandidatit në BE?", tha Berisha, duke iu drejtuar banorëve të Thumanës në Fushë-Krujë. Shefi i qeverisë theksoi se kjo është "Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate e BE-së, Shqipëria me 1012 shkolla të reja apo të rindërtuara në 4 vjet, Shqipëria me mësues, infermierë e mjekë me paga të dyfishuara, me pensionet e fermerëve të dyfishuara, është një Shqipëri tjetër". Kryeministri Berisha inauguroi dje edhe shkollën e mesme të përgjithshme në Komunën Thumanë, në Krujë, dhe festoi edhe ditëlindjen e heroit tonë, e prijësit legjendar të të gjitha kohërave të shqiptarëve, ditëlindjen e Skënderbeut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›